Një muaj paraburgim ndaj zyrtarit policor të dyshuar për marrje ryshfeti

Një muaj paraburgim ndaj zyrtarit policor të dyshuar për marrje ryshfeti

Të marten, Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës, për caktimin e masën së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj zyrtarit policor, Q.D, i dyshuar për marrje të ryshfetit.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të gjykatës së lartpërmendur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Q.D, për shkak të dyshimit të bazuar se: Me datë 23.05.2021, si person zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon përfitim për vete në mënyrë që të veproj në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që pasi i pandehuri Q.D, në mënyrë të kundërligjshme i siguron dokumentet e veturës së palës së dëmtuar, të cilat ia kishte vjedhë dikush, i pandehuri në vend se t’i lajmëroj në polici këto dokumente, ai për t’ia dhënë palës së dëmtuar i kërkon të holla. Me këto veprime i pandehuri Q.D kishte për të kryer veprën penale marrje e ryshfetit nga  neni 421 par.2 të KPRK-së. Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. Gjithashtu, në këtë çështje penale pritet të dëgjohet pala e dëmtuar dhe dëshmitarët,  andaj, me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikoj në palën e dëmtuar dhe në dëshmitarë, me qëllim të përgatitjes së mbrojtjes në favor të tij e me këtë të pamundësoj vërtetimin e fakteve dhe të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale. Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate”, thuhet në komunikatë.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi