Skënderaj vazhdon me përkrahjen e fermerëve
BKT
   Komunat

Skënderaj vazhdon me përkrahjen e fermerëve

Në vazhdën e fuqizimit të sektorit të bujqësisë, Komuna e Skenderajt ka filluar shpërndarjen e fidanëve për 77 fermerët, të cilët kanë aplikuar në këtë grant. 

Fermerët kanë përfituar nga granti i komunës fidane si: speca, domate dhe tranguj, ku në total janë planifikuar të shpërndahen mbi 166 mijë fidane. 

Kreu i komunës, Bekim Jashari, vizitoi nga afër procesin e shpërndarjes së këtyre fidanëve nga agro biznisi i kontraktuar, ku është bërë shpërndarja për çdo fermer në mënyrë të ndarë me qellim të respektimit të masave anti-Covid. 

Jashari duke përgëzuar kompaninë për punën e shkëlqyer, u shpreh shumë i kënaqur me këtë biznes, i cili me parë ka qenë edhe përfitues në grantet e komunës, ndërsa sot ka arritur të punësoj 30 punëtorë. 

“Bujqësia është bazamenti i zhvillimit ekonomik, andaj ne i kemi kushtuar një rëndësi shumë të madhe sektorit të bujqësisë në mandatin tonë qeverisës. Ky biznis është një shembull konkret jo vetëm për komunën tonë por edhe për gjithë Kosovën, një fabrikë familjare por që tani është bërë një fabrikë gjigante, që furnizon edhe të tjerët me fidane”, tha Jashari.

Ndërsa, drejtuesi i Kompanisë “Agro Bora”, Januz Syla, duke falënderuar komunën dhe gjithë ata që e kanë ndihmuar për të ngritur biznesin e tij, porositi të rinjtë që të mos braktisin Kosovën por të punojnë fortë në vendin e tyre.

“ Prej momentit kur kam filluar të merrem me bujqësi e kam parë që ka përfitime me të mëdha, andaj i porosisë të gjithë që të qëndrojnë e të punojnë këtu pasi që ka përfitime nga ky sektor”, tha Syla.

Detajet e hollësishme rreth këtij projekti i dha drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Sokol Sallahu.

 “Sot kemi ardhur në pikën prej të cilës do të furnizohen 77 fermer me fidane, varësisht nga kërkesat dhe hapësirat që ata kanë në dispozicion dhe numri i fidanëve që do të shpërndahen është mbi 166 mijë. Që nga ardhja e Kryetarit Jashari në krye të komunës i kemi kushtuar rëndësi të veçantë sektorit të bujqësisë, ku nuk kemi anashkaluar asnjërin nga sektorët”, tha nder të tjera Sallahu.


MË SHUME NGA    Komunat