“Ukë Rugova II”, anulohet seanca pasi dy avokatë nuk mund të merrnin pjesë

“Ukë Rugova II”, anulohet seanca pasi dy avokatë nuk mund të merrnin pjesë

Për shkak të pamundësisë së dy avokatëve mbrojtës për të prezantuar në gjykim, është anuluar seanca gjyqësore e paraparë të mbahej të enjten në rastin e njohur si “Ukë Rugova II”.

Nga zyra e kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku, është bërë e ditur se deri te anulimi i kësaj seance ka ardhur si shkak i pamundësisë për pjesëmarrje në gjykim të dy avokatëve mbrojtës, por që nuk është bërë e ditur se për cilët avokatë bëhet fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, për krim të organizuar lidhur me kontrabandim me migrantë po akuzohen Fitim Beqiri, Azat Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Kosovniku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti, dhe Haxhi Islami.

Të akuzuar në këtë rast janë edhe ish-deputeti Ukë Rugova, ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri.

Por, ndaj tyre është veçuar procedura ashtu që tanimë ata gjykohen veçmas në rastin e njohur si “Ukë Rugova I”, kurse 15 të akuzuarit tjerë po gjykohen në rastin “Ukë Rugova II”.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi