Gani Geci dënohet me 3 vjet e 6 muaj burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Gani Geci dënohet me 3 vjet e 6 muaj burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, u shpall fajtor dhe u dënua me 3 vite e 6 muaj burgim lidhur me akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten, nga gjykatësi Radosllav Markoviq, Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të rëndë, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje.

Ndaj tij u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Geci u ngarkua edhe me shpenzimet procedurale në shumën prej 400 euro, paushallin gjyqësor në shumën prej 250 euro, si dhe shumën prej 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit. Të gjitha këto pagesa duhet t’i kryejë në afat prej 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.

Kurse, pala e dëmtuar për kërkesën pasurore juridike u udhëzua në kontest civil.

Gani Geci akuzohej edhe për veprën e përdorimit të armës. Mirëpo, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për këtë vepër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

 

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.

Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.

“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.

Sipas aktakuzës, Gani Geci e kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014./BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi