Pishina e “Gërmisë” hapet javën e ardhshme

Pishina e “Gërmisë” hapet javën e ardhshme

Pishina më e frekuentuar në Prishtinë “Gërmia” pritet të hapet javën e ardhshme, por nuk ka një datë të përcaktuar ende.

Drejtori i pishinës “Gërmia” në kryeqytet, Liridon Llapashtica është shprehur i bindur që gjatë javës së ardhshme do të hapet pishina e Gërmisë.

“Gjatë javës së ardhshme gjithsesi do të hapemi. Presim  në ditët në vazhdim që të kemi mot të favorshëm që të hapet pishina ne do të i njoftojmë qytetarët me kohë për datën e hapjes”, ka thënë ai për Front Online.

Llapashtica ka bërë të ditur se do të respektohen maksimalisht rekomandimet e IKSHP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për sa i përket parandalimit të COVID-19.

Dhe poashtu do të ketë rekomandime se si do të duhet të sillen vizitorët në këtë pishinë.

“Sa i përket rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë, sikurse vitin e kaluar jemi të përgatitur për respektim të distancës, anës higjienike dhe dezinfektimeve jemi të disiplinuar në këtë aspekt, presim pas disa ditëve me dal edhe me disa detaje se si duhet të sillen pushuesit brenda pishinës dhe normalisht do t’u përmbahemi rekomandimeve që dalin”, është shprehur ai për Front Online.

Nga 31 maji Ministria e Shëndetësisë ka liruar masat anti-Covid, ku  orari i gastronomisë është zgjatur  deri në ora 23:00 dhe nuk do të ketë orë policore në komunat e Kosovës poashtu edhe hapja e pishinave.

Ky vendim për lehtësim të masave anti-Covid erdhi pas uljes së numrit të të infektuarve dhe viktimave nga Covid-19, në javët e fundit.