Greqia fortifikon kufirin me Turqinë, Komisioni Europian kërkon shpjegime

Greqia fortifikon kufirin me Turqinë, Komisioni Europian kërkon shpjegime

Greqia ka nisur të ngrejë një mur metalik në kufi me Turqinë në përpjekjen për të ndalur emigrantët e paligjshëm nga verilindja.

Një strukturë 5 m e lartë ka filluar të shtrihet përgjatë një distance 40 km nga zona e Evrosit deri ngjitur me Bullgarinë.

Policia ka arrestuar mbi 170 azilkërkues dhe 40 trafikantë njerëzish gjatë tri javëve të fundit.

"Gjatë periudhës shkurt-mars 2020, patëm një krizë të rëndë dhe emigrantët tentuan në masë ta kalonin kufirin. Që atëherë bëmë plane për të rritur kapacitetet njerëzore dhe ato logjistike," thotë polici Dimosthenis Kamargios.

Gardhi prej çeliku që po ndërton pala greke është i pajisur me kamera, radarë dhe me aparate akustike të cilat lëshojnë tinguj shurdhues kur tentohet kapërcimi i kufirit.

Grupet për të drejtat e njeriut janë shprehur kundër dhe Komisioni Europian ka kërkuar shpjegime për përdorimin e aparateve të tilla, transmeton oranews.

"Aparati Akustik me Rreze të Gjatë është një sistem i blerë vitin e kaluar që nuk është përdorur ende. Ai prodhon një sirenë me intensitet të lartë dhe qëllimi është të pengojë kalimin ilegal të emigrantëve në kufijtë tanë," shprehet polici.

Dhjetëra mijëra azilkërkues hynë në vitin 2020 në territorin grek pasi presidenti Erdogan i Turqisë kërcënoi se nuk mund t'i mbante më në vend.

Në katër muajt e parë të 2021-it, pati një rënie me 73% të të ardhurve nga Turqia, ndërkohë që emigrantët ankohen se vazhdojnë të kthehen mbrapsht me forcë ose edhe të rrihen e sillen me forcë drejt Greqisë nga rojat kufitare të Bullgarisë.