Albert Zogaj zgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Albert Zogaj zgjidhet kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Gjykatësi Albert Zogaj është zgjedhur kryesues i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Nga 11 anëtarët e KGJK-së që ishin prezent dhe votuan, Zogaj mori votat e të gjithë anëtarëve. Anëtarja Radojka Trifunovic nuk ishte e pranishme në votim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Zogaj ishte i vetmi që kishte kandiduar për t’u zgjedhur si kryesues. Mandati i tij si kryesues do fillojë me 7 Korrik 2021 dhe është tre vjeçar.

Në këtë pozitë, Zogaj do të pasojë kryesuesin aktual, Skender Çoçaj, mandati i të cilit mbaron pas pak ditësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në paraqitjen e vizionit të tij si kryesues në KGJK, Zogaj tha se fillimisht dëshiron të sqarojë çështjen e pozitave që i mban ai, për të cilat tha se është diskutuar shumë kohëve të fundit.

Ai tha se ekziston një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsion, se angazhimet e tij nuk përbëjnë konflikt të interesit.

Përveç pozitës së tij si kryesues të KGJK-së, Zogaj tha se do të mbajë edhe pozitën e kryetarit të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës dhe eventualisht atë të ligjëruesit në kolegj. Ai tha se pozita e tij si gjyqtar në Gjykatën Supreme pezullohet automatikisht pas zgjedhjes së kryesues kurse tha se do të heq dorë edhe nga angazhimet e tjera në Akademinë e Drejtësisë.

Ai tha se këtë nuk po e bën për shkak se kryesuesi apo anëtarët nuk kanë të drejtë për këso angazhimesh, por për shkak të angazhimeve që e presin në KGJK.

Punën e tij si kryesues, Zogaj tha se do të bëj duke u bazuar në Kushtetutë, ligj dhe në objektivat që do të dalin nga KGJK.

Sa i përket çështjes së vettingut, Zogaj tha se do të mbajë qëndrimin që do të mbajë edhe vet KGJK. Ai e konsideroi të nevojshëm edhe avancimin e çështjes së vlerësimit të performancës dhe disiplinimit të gjyqtarëve.

Çështje tjetër që do të angazhohet ai, Zogaj shtoi se do të jetë edhe procesi i rekrutimit të gjyqtarëve, pasi tha se në këtë proces duhet të krijohet një besueshmëri se janë duke u rekrutuar kandidatët më të mirë.

Kryesuesi i ri shtoi se askush që pengon arritjen e objektivave të gjyqësorit nuk duhet të tolerohet. Ai tha se duhet të vendoset një komunikim i ri dhe intesiv me kryetarët e gjykatave.

Zogaj shtoi se është i vendosur që kushdo që dështon në arritjen e objektivave apo saboton punën e sistemit gjyqësor duhet të jap llogari.

Në fund, Zogaj tha se administrata e gjyqësorit është shndërruar në pengesë serioze në realizimin e objektiveve të sistemit gjyqësorë andaj tha se nuk ka hapësirë për tolerim për askënd.

Biografia e gjykatësit Albert Zogaj e publikuar në faqen e KGJK-së:

Albert Zogaj është gjyqtar në Gjykatën Supreme, dega civile. Gjyqtari Zogaj ka diplomuar me 30.06.2004, në Fakultetin Juridik në  Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet post-diplomike në drejtimin Juridiko-Civil i ka përfunduar në vitin 2008.

Nga dhjetori 2004 deri në dhjetor 2005, ka punuar si avokat-praktikat në Odën e Avokatëve të Kosovës. Në shkurt të viti 2006, përfundoi provimin e jurisprudencës ndërsa nga shkurti i vitit 2006 e deri në tetor të vitit 2010, punoi si avokat në Pejë.

Në tetor të vitit 2010 është emëruar gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ku ka punuar deri në dhjetor të vitit 2012.  Nga viti 2013 deri më 2015 punoi si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm.

Në gusht të vitit 2015 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në Prishtinë, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Civil. Në shtator 2020 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatë Supreme.

Prej vitit 2008 punon si ligjërues në Kolegjin AAB, njëkohësisht është edhe trajnues në Akademinë e Drejtësisë, në programin fillestarë dhe të vazhdueshëm të arsimimit ligjor. Ka punuar dhe ka marrë  pjesë në disa hulumtim-punime profesionale me institucione të ndryshme si Qendra Juridike e Kosovës, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, Institutit Gjyqësor të Kosovës.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi