Kryetarit të Kllokotit i ngritët aktakuzë për cenim të votës

Kryetarit të Kllokotit i ngritët aktakuzë për cenim të votës

Kryetarit të Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq, i është ngritur aktakuzë për veprën penale të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve që lidhet me lidhet me zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti.

Aktakuzën e ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se Kryetari i Kllokotit ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Speciale njofton se aktakuzën e ka ngritur kundër Dejanoviq për shkak se është vërtetuar dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’ e paraparë dhe sanksionuar me nenin 210  të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dënimi për veprën penale të bazuar në nenin 210 të Kodit Penal parashihet nga 1 deri në 5 vite burgim.

Kushdo që me përdorim të forcës apo kanosjes serioze, ose me keqpërdorim të varësisë ekonomike dhe profesionale të votuesit ndikon ose detyron votuesin në Republikën e Kosovës që të votojë në mënyrë të caktuar ose të mos votojë në zgjedhje, dënohet me një (1) deri në pesë (5) vjet burg.

Bozhidar Dejanoviq ishte arrestuar nën dyshimin se ka ndikuar tek punëtorët e komunës së Kllokotit dhe qytetarë të tjerë për të votuar në një mënyrë të caktuar.

Më 23 prill të këtij viti, Dejanoviqit i ishte ndryshuar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi