Dështon rigjykimi i të akuzuarve për mundësimin e arratisjes së Lushtakut

Dështon rigjykimi i të akuzuarve për mundësimin e arratisjes së Lushtakut

Për të tretën herë ka dështuar seanca e rigjykimit ndaj të akuzuarit Nexhib Shatri dhe Emrush Thaqi, lidhur me arratisjen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

Ish-drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, Emrush Thaqi po akuzohet se në maj 2014, duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, u kishte mundësuar të paraburgosurve Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha që të arratisen nga QKUK.

Ndërsa, mjeku në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Nexhib Shatri po akuzohet se në janar 2014, kishte lëshuar raporte mjekësore të rrejshme për Sami Lushtakun, i cili kishte qenë i paraburgosur në atë kohë, si dhe kishte lehtësuar transferimin e të paraburgosurit Shkëlqim Latifaj në ditën kur ky i fundit ishte arratisur nga Dubrava.

Në fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Shatri, avokati Ardian Gjoshi e ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij e kishte njoftuar atë lidhur me vonesën e tij për shkak të një aksidenti të komunikacionit që kishte ndodhur gjatë rrugës.

Por, përkundër pritjes së më shumë se gjysmë orë, ai nuk ka prezantuar, për çka, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi ka deklaruar se duhej të vazhdohej më tutje, me arsyetimin se kishte seanca të tjera.

“Mu po më vjen keq, por na duhet ma vazhdu ma tutje se kom edhe seanca tjera pasdite. Shqyrtimi fillon në 10:36, i cili shqyrtim ka qenë dashur të filloj në orën 10:00, mirëpo për shkak të pritjes së të akuzuarit Nexhib Shatri fillon me vonesë e i cili as në këto momente nuk është paraqitur në gjykatë”, tha gjykatësi Kuçi.

Gjykatësi Kuçi gjithashtu ka njoftuar se në seancë nuk kanë prezantuar dëshmitarët Bashkim Dervisholli dhe Valon Behramaj.

Për dëshmitarin Dervisholli, gjykatësi Kuçi tha se i njëjti gjykatën e kishte njoftuar për mungesën e tij, ndërsa për dëshmitarin Behramaj, sipas Kuçit, gjykatës nuk i është kthyer fletë kthesa.

Ndryshe, ky rast më pare është gjykuar nga gjykatësi Shashivar Hoti, por pasi ka ndërruar jetë, rasti ka kaluar tek gjykatësit Kuçi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2020 kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun, por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera që kishin ndodhur me 21 gusht 2015 dhe më 22 shtator 2015.

Përveç Lushtakut, me nga 1,000 euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj, ishin liruar nga akuza.

Por aktgjykimi ndaj të akuzuarit Thaqi dhe Shatri është anuluar nga Gjykata e Apelit.

“Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket pjesës liruese për pikat 1 dhe 2 për të akuzuarin E.Th. për dy vepra penale  “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, dhe për të akuzuarin N.Sh. në pikën 14, për vepër penale “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “falsifikim i dokumentit” dhe “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”, dhe për pikën 15 për vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”. Çështja penale për këto pika është kthyer ne rigjykim”, thuhej në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Për dy raste të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar po akuzohet i pandehuri Thaqi, ndërsa për një vepër të kësaj natyre po akuzohet i pandehuri Shatri, i cili po dyshohet edhe për kryerjen e veprës penale “falsifikim i dokumentit” dhe veprës penale “lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria”./BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi