Prokuroria në Gjilan ngritë aktakuzë ndaj asamblistit të Listës Serbe

Prokuroria në Gjilan ngritë aktakuzë ndaj asamblistit të Listës Serbe

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj asamblistit të Listës Serbe (LS) në Komunën e Ranillugut, Nebojsha Gjorgjeviq, duke e akuzuar atë për mos deklarim të pasurisë.

Aktakuza në fjalë është ngritur më 18 maj 2021, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ku pretendohet se i akuzuari nuk i ka deklaruar pronat e tij përkatëse dhe atë, 12 toka bujqësore dhe një tokë pyjore-mal, në sipërfaqe të përgjithshme prej 9,798 m2, pasuri kjo e regjistruar në Zonën Kadastrale në Ranillug.

Kjo aktakuzë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, për të cilin rast ende nuk është caktuar shqyrtimi fillestar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 18 maj 2021, ka ngritur aktakuë ndaj Nebojsha Gjorgjeviqit, duke e ngarkuar atë me veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK.)

Sipas aktakuzës, më 1 prill 2020, në kohë të papërcaktuar në Ranillug, i akuzuari Gjorgjeviq në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Këshilltar i Asamblesë Komunale në Ranillug, duke qenë i detyruar me ligj të bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2019, dhe atë brenda periudhës kohore prej 1 deri më 31 mars 2020, por edhe me afatin e shtyer nga Qeveria e Kosovës për shkak të pandemisë Covid-19, i njëjti nuk e ka deklaruar saktë pasurinë që posedon.

Sipas prokurorisë, i akuzuari në formualin për deklarim të pasurisë të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) më 1 prill 2020, nuk i ka deklaruar pronat e tij dhe atë, 12 toka bujqësore dhe një tokë pyjore-mal, në sipërfaqe të përgjithshme prej 9,798 m2, pasuri kjo e regjistruar në Zonën Kadastrale në Ranillug, gjendje kjo që është vërtetuar me cetifikatën mbi pronën e lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi