Në Ferizaj kabllot e rrymës po futen nëntokë

Në Ferizaj kabllot e rrymës po futen nëntokë

Largimi i këtyre shtyllave elektrike të tensionit të mesëm në qytetin e Ferizajt të cilat tashmë janë jashtë funksionit pas vendosjes së rrjetit nëntokësor, përveç që po rrit sigurinë në furnizim e në komunitet, po i jep edhe një pamje shumë më të bukur qytetit që ditëve të fundit ka pësuar një transformim përmes projektit të “Bashkimit të Qytetit”.

Në këtë komunë, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) po investon afër 4 milionë euro, për vendosjen e rrjetit nëntokësor të linjave të tensionit të mesëm.

Janë rreth 50 kilometra të rrjetit elektrik që tashmë janë vendosur nëntokë, derisa i gjithë projekti do të përmbyllet shumë shpejt.

Zyrtari për Komunikim në KEDS, Adlum Ramadani, potencoi se ky investim që po bëhet në Komunën e Ferizajt është ndër më të rëndësishmit në fushën e energjisë elektrike.

Ramadani: KEDS po realizon projekt investiv në vlerë prej afro 4 milionë eurosh

“Bëhet fjalë për një ndër projektet më të rëndësishme sa i përket fushës së energjisë elektrike në Komunën e Ferizajt. Këtu KEDS është duke realizuar një projekt investiv në vlerë prej afro 4 milionë eurosh, ku parashihet vendosja e rrjetit nëntokësor të linjave të tensionit të mesëm me një distancë prej rreth 50 kilometra. Pra, po e ritheksojë komplet linjat e tensionit të mesëm në Komunën e Ferizajt po vendosen nëntokë, kësisoj po krijohen lidhjet unazore apo ndërlidhja ndërmjet nënstacioneve e cila më pastaj do të mundësojë furnizim alternativ për konsumatorët e kësaj ane, në mënyrë që në rastet e avarisë ose në rastet kur shfaqet nevoja për punime në rrjet konsumatorët tanë të mos afektohen nga ndërprerjet e energjisë elektrike, mirëpo furnizimin ta marrin pikërisht nga kjo mundësi e cila po vihet në dispozicion”, theksoi ai.

Ramadani tha se në Komunën e Ferizajt kanë trashëguar një rrjet në gjendje jo të mirë dhe se KEDS është vënë në veprim për të larguar qindra shtylla dhe eliminuar kabllot të cilat qëndronin varur në këtë qytet.

Ramadani: Rritet siguria në furnizim me energji elektrike

“Nga ky investim do të përfitojnë vet konsumatorët tanë, pra banorët e komunës së Ferizajt dhe pjesa e qytetit të Ferizajt. Përmes një investimi të tillë, po rritet siguria në furnizim me energji elektrike, po rritet siguria në komunitet dhe njëkohësisht po rritet qëndrueshmëria e furnizimit me energji elektrike, në mënyrë që konsumatorët tanë të kenë shërbime dukshëm më kualitative sasa kanë pasur deri më tash”, tha Ramadani.

Largimin e shtyllave elektrike e vendosjen e rrjetit nëntokësor e kanë mirëpritur qytetarët e kësaj komune, të cilët e cilësojnë një si një investim që ka përmirësuar sigurinë e tyre.

Qytetari i Ferizajt, Xhevat Azemi, tha se kanë qenë të rrezikuar nga vjetërsia e shtyllave e rrjeti i dobët, e që tashmë tha se përveç sigurisë edhe qyteti ka marrë pamje më të bukur.

Azemi: Kemi qenë të rrezikuar nga shtyllat e vjetra

“Shumë jemi të kënaqur edhe po rregullohet mirë, kemi qenë të rrezikuar deri tash, shtyllat e vjetra, rrjeti i dobët, e tash po bëhet sikur shtetet perëndimore. As kemi rrezik as kurrgjë, e kanë rregulluar me shpresë që ishalla po bëhen hala ma mirë. Nënkalimin e kanë bërë sikur në Paris me qenë, jemi të kënaqur shumë”, u shpreh ai.

Edhe qytetari tjetër, Ismet Rifati, u shpreh se vendosja e rrjetit elektrik nëntokë po ofron siguri më të madhe për ta.

Rifati: I kemi pasur të gjithë shtyllat përmbi kokë

“Përpara nuk ka qenë rryma e mirë, i kemi pasur të gjithë shtyllat përmbi kokë, jemi rrezikuar gjithmonë prej tyre, se ai tel këputet bien përmbi njerëz, e sot është më mirë ju e shihni që në qytetet asnjë tel i rrymës nuk po shihet, siguria është më e madhe”, tha ai.

KEDS gjithandej vendit është duke realizuar investime për shtrirjen e rrjetit nëntokësor, duke iu dhënë qendrave të qytetit një pamje shumë më të mirë.