Maqedoni, iniciativat qytetare kundërshtojnë pragun zgjedhor

Maqedoni, iniciativat qytetare kundërshtojnë pragun zgjedhor

Iniciativat qytetare në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, që kanë bërë të ditur se në zgjedhjet lokale do të garojnë me lista të veçanta për këshilltarë në asambletë komunale, kanë kërkuar nga presidenti, Stevo Pendarovski që të mos i nënshkruajë ndryshimet e paralajmëruar në Kodin Zgjedhor.

Këto iniciativa qytetare po kundërshtojnë vendosjen e pragut zgjedhor prej 2 për qind si kusht për t’u futur në garë, pasi thonë, me këtë shkelen parimet demokratike dhe këto ndryshime në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Nga kabineti i presidentit Pendarovski thanë për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i presidentit të shtetit është që ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhen me një konsensus të gjerë, përfshirë këtu sektorin civil dhe partitë e vogla, dhe jo vetëm përmes një marrëveshjeje midis partive të mëdha që janë në pushtet dhe opozitë.

“Lidhur me propozimin e paralajmëruar rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, në bazë të të cilave, grupet që do të garojnë për këshilltarë të pavarur duhet të mbledhin 2 për qind të trupit elektoral në komunë të caktuar, presidenti Pendarovski vlerëson se duhet të parashihet një prag më i ulët, me qëllim që t’u mundësohet pjesëmarrja më e madhe qytetarëve në procesin zgjedhor”, thotë zyra e Pendarovskit.

Reagimet vijnë pas paralajmërimit të kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev se në bazë të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të gjithë ata që do të futen në garë me lista të pavarura, paraprakisht duhet të mbledhin 2 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve në komunë për të pasur të drejtë që të kandidojnë.

“Me vendosjen e pragut minimal prej 2 për qind nga votuesit e regjistruar, që listat e pavarura të kenë të drejtë të kandidohen në zgjedhjet e ardhshme lokale, partitë e mëdha vendosin diktaturë të partizimit dhe okupim brutal të hapësirës publike, që është karakteristikë vetëm për vendet me regjim dhe jo për demokracitë”, thuhet në letrën që shumë organizata joqeveritare i kanë dërguar presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski.

Dymbëdhjetë organizata joqeveritare në Shkup, nën ombrellën “Qyteti Human i Gjelbër”, kanë paralajmëruar se do të përpiqen që të fitojnë besimin e elektoratit, duke garuar në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në vjeshtë, përmes një liste të pavarur.

Në Tetovë, po ashtu organizatat joqeveritare, që janë marrë me mbrojtjen e mjedisit, kanë vendosur që të garojnë në listë për këshilltarë komunalë nën logon “Më mirë për Tetovën”.

Ndërkaq, në qytetin e Ohrit, qytet ky nën mbrojtjen e UNESCO-s, është formuar iniciativa “Ohri para së gjithash”, përmes së cilës do të garojnë për këshilltarë të pavarur komunalë.

Organizatat që bëjnë matjen e opinionit publik thonë se për këto iniciativa qytetare do të jetë sfidë që të nxisin për të dalë në votime, qytetarët që për një kohë të gjatë nuk marrin pjesë në procesin zgjedhor, pasi janë të zhgënjyer nga premtimet e partive të mëdha politike, të cilat nuk janë realizuar. Këto organizata përmendin edhe rastin e Kroacisë, ku qytetarët zgjodhën për kryetar të Zagrebit dhe Splitit aktivistë për mbrojtjen e mjedisit.

Albert Musliu nga organizata joqeveritare për Zhvillimin e Demokracisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se një element shumë i rëndësishëm sa i përket suksesit të këtyre iniciativave është emrat që do të paraqiten në garë, në kuadër të këtyre nismave.

“Varet se cilët persona do të jenë në këto lista dhe sa do të arrijnë të marrin mbështetjen e popullit. Nëse arrijnë të marrin besimin e qytetarëve, kjo do të ishte diçka shumë pozitive, pasi do ta thyenin atë monopolin që kanë krijuar partitë politike”, thotë Musliu duke shtuar se mbetet skeptik sa i përket suksesit të këtyre iniciativave, pasi siç thotë, “partitë politike, kryesisht ato më të mëdhatë, kanë strukturë të organizuar mirë në terren dhe depërtimi i të tjerëve është i vështirë”.