United e nis furishëm, ‘shkel’ Leeds-in
BKT
Sport

United e nis furishëm, ‘shkel’ Leeds-in

Është përfshirë në listën e favoritëve për të triumfuar në Premier League këtë sezon dhe jo më kot, pasi Manchester United tregon “dhëmbët” që në sfidën hapëse, duke triumfuar me rezultatin e thellë 5-1 ndaj Leeds United, në një ndeshje ku protagonistë absolutë ishin padyshim Bruno Fernandes me tre gola të shënuar dhe Paul Pogba me 4 asiste.

Në prag të fillimit të ndeshjes “djajtë e kuq” prezantuan zyrtarisht para tifozëve edhe mbrojtësin francez Raphael Varane, i cili ka firmosur për 4 sezone me klubin anglez dhe parakaloi me fanellën e e tij në re rreth fushës së “Old Trafford” për t’u përshëndetur me fansat e tij të rinj.

Më pas erdhi radha e spektaklit në fushë, me Manchester United që dukej ndjeshëm i karikuar për të nisur në mënyrën më të mirë takimin dhe ushtronte presing lart ndaj kundërshtarit, që e kishte shumë të vështirë të organizohej e të mbajë topin.

Shkëndijën e parë të rrezikshme e dha Mason Greenwood në minutën e 11’, pasi tentoi të përfitojë nga një kthim i gabuar i topit mbrapa, por sfera iu përplas me fat në këmbë dhe u shndërrua në një tentativë të rrezikshme drejt portës, gjithsesi portieri i Leeds ishte në lartësinë e detyrës dhe bëri një grushtim spektakolar, duke dërguar topin jashtë kuadratit.

Paul Pogba, që këtë herë luante në një rol të ri, atë të sulmuesit të krahut të majtë, pati në minutën e 13’ në këmbë topin e golit të avantazhit, por ndonëse lëvizi mirë në zonë, gjuajtja e tij përfundoi jashtë, ngjitur me shtyllën pingule.

Mateuszx Klisch dha shkëndijën e parë për skuadrën e Leeds United, pasi provoi me një goditje nga hyrja e zonës, por hasi në grushtimin e spanjollit David De Gea, që u shfaq në lartësinë e duhur për të reaguar shpejt e saktë.

Takimi u zhbllokua në minutën e 30’, teksa Paul Pogba lëvizi mirë dhe shërbeu një top të saktë në qendër të zonës për fantazistin portugez Bruno Fernandes, i cili me një gjuajtje perfekte, kaloi sferën poshtë këmbëve të portierit, duke kaluar “djajtë e kuq” në avantazh.

Ka festë në “Old Trafford”-in që “ziente” nga prania e rreth 75 mijë tifozëve, ndërsa portugezi Bruno Fernandes konfirmoi edhe njëherë se ashtu si sezonin e kaluar, mbetet ai njeriu që gatuan apo shënon golat e “djajve të kuq”.

Në minutën e 37’, Daniel James pati mundësinë për të shënuar edhe golin e dytë, pasi u shërbye me një vertikalizim të saktë brenda zonës, por gjuajti jashtë, në një pozicion të prirët me portën, duke bërë që ekipet të shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin minimal 1-0.

Pjesa e dytë nisi mjaft vrullshëm dhe prodhoi tre gola të shpejtë, pasi fillimisht ishte Leeds United, që riktheu baraspeshën me anë të Luke Ayling, i cili lëshoi një “silurë” me të djathtën dhe mposhti David De Gean.

Por pa përfunduar ende mirë festa e miqve, “djajtë e kuq” u rikthyen sërish në avantazh, me golin që u “gatua” nga Paul Pogba, i cili vertikalizoi saktë për Mason Greenwood dhe sulmuesi i talentuar “dogji” në shpejtësi Ayling, duke dërguar më pas topin në rrjetë.

Vetëm dy minuta më vonë ishte sërish Bruno Fernandes, që edhe këtë herë u shërbye nga Pogba dhe goditi saktë me të majtën për të shënuar golin e tretë, i cili u akordua vetëm nga “goal line technology”, pasi një mbrojtës i miqve largoi topin pak milimetra brenda vijës fatale.

Spektakli i “djajve të kuq” nuk ka të ndalur, pasi në minutën e 60’, fantazisti portugez Beruno Fernandes kompleton tripletën personale, teksa i shërbyer me një top të gjatë nga Lindelof, gjuan menjëherë me të djathtën dhe mposht sërish portierin e miqve, Meslier.

Në minutën e 68’, emrin në listën e golshënuesve e shënoi edhe mesfushori brazilian Fred, i cili u shërbye në hyrje të zonës sërish nga francezi Paul Pogba dhe gjuajti me të majtën, duke dërguar topin në rrjetë për herë të pestë.

Për të ndalur vrullin e Pogba, që dukej shumë i karikuar pasditen e sotme, mendoi trajneri norvegjez Solskjaer, i cili uli francezin në pankinë dhe i dha mundësinë të debutojë, blerjes më të re të “djajve të kuq”, sulmuesit anësor Jadon Sancho, për kartonin e të cilit u paguan rreth 85 milionë euro.

Megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale të arbitrit dhe Manchester United mori tre pikë më se të merituara në ndeshjen e parë të një sezoni ku do të provojë të rikthejë titullin kampion në “Old Trafford”.