Lladrovci fton qytetarët e Drenasit që të vaksinohen
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vizituar sot qendrën e vaksinimit anti-COVID në këtë komunë.
Sipas Lladrovcit procesi i vaksinimit po shkon mirë, por duhet të bëhet më shpejtë.
“Sot, bashkë me Drejtorin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Arsim Haxhiu vizituam qendrën e vaksinimit ku takuam mjekët dhe infermierët me qëllim të informimit lidhur me procesin e vaksinimit të qytetarëve tanë. Përgjigjen e mora se “vaksinimi po shkon mië”. Kjo nuk eështë e mjaftueshme. Vaksinimi duhet të bëhet më shpejtë! Vaksinimi është rruga e mbrojtjes së qytetarëve taë. Këtë e kanë thënë institucionet tona relevante dhe ne insistojmë që këto rekomandime të zbatohen. Vaksina ka të mjaftueshme, vende për vaksinim - po, personel shëndetësorë që kryen vaksinimin - po, çfarë duhet pritur!?”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen pasi kjo është mbrojtja më e mirë.
“Qytetarë të komunës së Drenasit, Vaksinohuni që të mbroheni. Mbrojtja më e mirë është vaksinimi. Askush nuk duhet të pësojë nga pakujdesia Juaj. Është shumë brengosëse se varianti i ri i virusit, Delta, po përhapet shumë shpejtë dhe po i prek edhe fëmijët, prandaj, mos prit, vaksinohu!”, ka shkruar ai.























