Shpresohet se gjykimi i Gucatit e Haradinajt të përfundojë mbrenda vitit
BKT
   Betimi për Drejtësi

Shpresohet se gjykimi i Gucatit e Haradinajt të përfundojë mbrenda vitit

Mbrojtësit e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt po shpresojnë që gjykimi të përfundojë brenda vitit.

Një deklarim të tillë avokatët Jonathan Elystan Rees dhe Toby Cadman e kanë bërë gjatë konferencës së dytë për përgatitje për gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Jonathan Elystan Rees, që mbron Hysni Gucatin, ka thënë se për dëshmitaren 1 mund tu duhen deri në shtatë ditë për kundër-pyetje, ndërsa për dëshmitarin 2 pesë ditë.

“Nuk propozoj të bëj deklaratë hapëse pas deklaratës së ZPS-së. Do të shqyrtoj mundësinë e hapjes pasi ZPS të ketë paraqitur hapjen e saj, pasi të jenë thirrur të gjitha dëshmitarët e mbrojtjes dhe të pandehurit”, ka thënë ai.

Tutje, bëri të ditur se një javë do ishte e mjaftueshme sa i takon pjesës së përgatitjes për mbrojtjen, pasi ZPS të ketë paraqitur argumentet e saj.

Sipas tij, sa i takon mbrojtjes, synojnë të jenë të pranishëm gjatë gjithë procesit gjyqësor.

“Angazhimet e mia në çështjet e tjera i kam kufizuar sa më shumë që ka qenë e mundur. Do t’i kërkoj trupit gjykues në kohën e përshtatshme të ketë më shumë fleksibilitet apo ndihmë për mua që të përmbush detyrimet e tjera që i kam marr përsipër më parë. Bëhet fjalë për 5-6 ditë, gjatë atyre ditëve zoti Boëden do të jetë këtu gjatë gjithë kohës”, bëri të ditur ai.

Jonathan Elystan Rees ka thënë se kanë biseduar edhe me prokurorinë dhe synojnë që çështja të përfundoj brenda këtij viti kalendarik.

Ndërsa avokati Toby Cadman, që mbron të akuzuarin Haradinaj, ka thënë se me avokatin Rees janë konsultuar dhe pozicioni i tyre varet nga puna e prokurorisë.

Edhe avokati Cadman ka thënë se Haradinaj shpreson që gjykimi të përfundoj brenda këtij viti.

Nga trupi gjykues u bë e ditur se janë konsultuar me trupin gjykues në çështjen tjetër dhe se sallën e gjyqit do ta kenë në dispozicion për dy javë të plota në fund të tetorit.

Avokati Cadman bëri të ditur se kanë shpresuar që procesi të filloj në fillim të nëntorit, por se nëse ndodh ndonjë ndryshim i përafërt në data nuk ka problem.

Kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith III ka bërë të ditur se kanë planifikuar që hapja e gjykimit të bëhet më 7 dhe 8 tetor, kurse dëgjimi i provave materiale nga 18 tetori dhe të vazhdohet më pas në fund të tetorit.

(Përditësuar, ora: 10:50) 

Mbrojtja e Gucatit thotë se zyrtarë të ZPS-së u kishin thënë zyrtarëve të OVL-së se materialin mund ta mbajnë deri në një muaj, ZPS e konsideron shpifje

Mbrojtja e Gucatit thotë se zyrtarë të ZPS-së u kishin thënë zyrtarëve të OVL-së se materialin mund ta mbajnë deri në një muaj, ZPS e konsideron shpifje

Mbrojtja e Hysni Gucatit ka thënë se zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) u kanë thënë zyrtarëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) se materialin mund ta mbajnë deri në një muaj.

Këtë pretendim të mbrojtjes Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka kundërshtuar. Madje, ZPS e ka konsideruar si shpifje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky diskutim është bërë gjatë konferencës së dytë për përgatitje për gjykim në rastin e Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucatit.

Nga trupi gjykues, u tha se në urdhrin e 21 korrikut, trupi gjykues vuri në dukje parashtrimin e Gucatit se zyrtarë të ZPS-së kishin paralajmëruar zyrtarët e OVL-së që materialin mund ta mbanin deri në një muaj.

“Të dy ekipet e mbrojtjes kanë identifikuar dëshmitarin që do të thirret për të dhënë dëshmi në lidhje me atë çka i kanë thënë zyrtarët e ZPS-së, përkatësisht se materialin mund ta mbanin deri në një muaj”, u tha nga trupi gjykues.

ZPS ka thënë se kundërshtojnë këtë pretendim të mbrojtjes, sepse në thelb kundërshton të gjitha provat e ZPS-së.

“Nuk ka asgjë në provat apo në shënimet zyrtare të asaj kohe që do të vinte në dukje se një gjë e tillë ishte diskutuar me atë person sikurse pretendon zoti Gucati. Mbrojtja nuk ka paraqitur hollësi konkrete lidhur me këtë pretendim të vetin. Mbrojtja përmendin vetëm paketën 1 të dokumenteve. Një zyrtar i ZPS-së që ka kryesuar operacionin ka nënshkruar këtë shënimin zyrtar ku konfirmon se asnjëherë nuk ka thënë një gjë të tillë si pretendon mbrojtja e Gucatit dhe ne do të nxjerrim këtë shënim zyrtar lidhur me këtë deklaratë”, ka thënë ZPS.

Tutje, prokuroria ka bërë të ditur se parashtrimi i tyre është se kjo është një shpifje dhe se për momentin nuk kanë ndërmend të paraqesin prova lidhur me këtë pretendim të mbrojtjes.

“Nëse informacionet e anshme kërkojnë të ndryshojmë këtë mendim, atëherë do të kërkojmë leje nga trupi gjykues për të bërë ndryshimet e duhura. Mirëpo, për momentin nuk ka asgjë në provat që do të sugjeronte se ne duhet të ndërmarrim hapa të mëtejshme lidhur me këtë pretendim të mbrojtjes”, u tha nga ZPS.

Ndërkaq, avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees tha se i takon prokurorisë që të provoj çështjen.

Kurse, avokati i Haradinajt, Toby Cadman tha se mbështet qëndrimin e kolegut të tij dhe se i kanë kërkuar ZPS-së shumë herë t’ua jap deklaratat që kanë marrë nga zyrtarët që kanë qenë të pranishëm gjatë operacionit 1, 2 dhe 3 dhe asnjë nga këta zyrtarë nuk është përfshirë në listën e personave që do të japin dëshmi në gjykim.

“Na është mohuar mundësia të shikojmë deklaratat e tyre dhe nuk na është dhënë asnjë hollësi lidhur me to”, ka thënë Cadman.

ZPS thotë se materialet në paketa ishin konfidenciale, Gucati e Haradinaj thuhet se nuk ishin në dijeni për një gjë të tillë

Në konferencën e dytë për përgatitje për gjykim në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka deklaruar se materialet në paketa kanë qenë të mbrojtura, konfidenciale.

Mirëpo, mbrojtja e të akuzuarve ka deklaruar se të akuzuarit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se nuk e kanë ditur se natyra e dokumenteve është konfidenciale. Madje, ata thonë se as nuk e kanë ditur nëse janë dokumentet autentike apo falso, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, trupi gjykues ka pyetur mbrojtjen nëse materiali ishte tërësisht apo pjesërisht për publikun, ose për cilat pjesë materiali nuk ishte konfidencial, apo se ZPS nuk vërtetoi se materiali kishte status të tillë.

Avokati Jonathan Elystan Rees, që mbron Hysni Gucatin, deklaroi se informacioni fillimisht ka qenë pjesërisht ose tërësisht i njohur për publikun.

“ZPS nuk ka vërtetuar për mendimin tonë statusin e mbrojtur konfidencial ose jo publik të dokumenteve, këtu përfshihet edhe pretendimi jonë se ZPS nuk ka vërtetuar se ky material kishte status të mbrojtur sipas sistemit të zbatueshëm të statusit konfidencial”, ka thënë avokati Rees.

Ndërkaq, avokati i Haradinajt, Toby Cadman tha se në të gjitha fazat kanë mbështetur qëndrimet e mbrojtjes së Gucatit, duke qenë se nuk kanë pasur mundësi të analizojnë atë material dhe nuk janë në gjendje të japin një njoftim më të hollësishëm lidhur me këtë.

“Gjatë të gjitha fazave kemi thënë edhe në procesverbal se ZPS kanë detyrën e provës për të vërtetuar konfidencialitetin ose natyrën jo publike të materialit. Ky është qëndrimi ynë”, ka thënë avokati Cadman.

Nga ZPS u tha se të gjitha që përmenden brenda paketave të materialeve janë material i mbrojtur.

“Çdo gjë që tha mbrojtja dje e vërtetoi se e kanë të qartë se materialet që janë dorëzuar janë konfidenciale. ZPS do të paraqes prova gjatë gjykimit që do të vërtetojnë se materialet e dorëzuara ishin të klasifikuara si konfidenciale. Gjykatësit do të dëgjojnë dëshmi lidhur me pjesë të dokumenteve që ju dërguan mediave dhe mendoj që mbrojtja e Gucatit kur thotë për këtë kundërshtim e ka parasysh mënyrën se si kanë qenë të renditura dokumentet”, është thënë nga ZPS.

Tutje, avokati i Gucatit ka deklaruar se të akuzuarit e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se nuk e kanë ditur se natyra e dokumenteve është konfidenciale dhe që nuk e kanë ditur nëse janë dokumentet autentike apo falso.

“Nuk është bërë nxjerrja e këtyre materialeve dhe mbështetemi në qëndrimin që kemi paraqitur në dosjen paragjyqësore. Të akuzuarit nuk e kanë ditur nëse materialet kanë qenë autentike apo të fabrikuara”, ka thënë avokati Rees.

Ndërsa, avokati Cadman ka deklaruar se qëndrimi i tyre është i ngjashëm me atë të mbrojtjes së Gucatit dhe se sipas tyre, trupi gjykues do të duhet të shikoj të gjitha video incizimet, konferencat për shtyp dhe të gjitha komentet e bëra në media, e t’i bëj brenda një kontesti.

Tutje, avokati Cadman ka deklaruar se listën që kanë paraqitur për dëshmitarë është e përkohshme dhe çdo ndryshim i saj do t’i bëhet i ditur trupit gjykues.

Nga ana e ZPS-së u tha se në paragrafin 40 të vendimit të konfirmimit përshkruhet synimi i të akuzuarve, nëse u duhet si referencë gjykatësve.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi