Challandes fton një tjetër lojtar të Superligës
Pas mbrojtësit të Ballkanit, Armend Thaqi, një tjetër futbollist i Superligës do të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës.
Bëhet fjalë për mesfushorin e Dritës, Muharrem Jashari, i cili do të jetë pjesë e Dardanëve për ndeshjen kundër Spanjës më 8 shtator. Ftesa për Jasharin nga Challandes ka ardhur për faktin që trajneri zviceran në këtë ndeshje nuk do të mund të llogarisë në Lirim Kastratin dhe Besar Halimin, të cilët janë të pezulluar për shkak të kartonëve. Lajmin e ka bërë të ditur FFK në faqen zyrtare. Ndërkaq, është bërë e ditur se Dardanët, sot, nuk do të mbajnë stërvitje, por vetëm rigjenerim në hotel. Kjo pasi lojtarët që nuk u aktivizuan në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Greqisë dhe ata që hyrën si zëvendësueses kanë bërë stërvitje mbrëmë pas ndeshjes.























