Aktakuzë ndaj anëtarit të Bordit të Stacionit të Autobusëve në Gjakovë

Aktakuzë ndaj anëtarit të Bordit të Stacionit të Autobusëve në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për mos-raportim të pasurisë ndaj anëtarit të Bordit të NPL “Stacioni i Autobusëve” në Gjakovë, Rrahman Kida.

Sipas Kodit Penal, vepra penale për të cilën akuzohet Kida hyn në kuadër të veprave të korrupsionit.

Kida po akuzohet se nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në afatin ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin 2020.

Në aktakuzën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i akuzuari Rrahman Kida duke qenë në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, përkatësisht anëtar i bordit në NPL “Stacioni i Autobusëve” SHA Gjakovë, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë në periudhën nga data 1 mars 2021 e deri më 31 mars 2021.

Tutje sipas aktakuzës, i njëjti duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë të lartë dhe plotësim-ndryshimin e këtij ligjit, nuk e ka bërë deklarimin  rregullt vjetor të pasurisë në afatin e rregullt ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin paraprak nga 01.01.2020 – 31.12.2021, edhe pse ka qenë i informuar dhe detyruar për këtë obligim të paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Prokurori Enis Gashi në aktakuzë i ka propozuar gjykatës që ndaj të akuzuarit të shqiptohet urdhër ndëshkimor, përkatësisht dënimi me gjobë, pasi që sipas tij janë plotësuar kushtet ligjore nga neni 43 të KPRK-së, lidhur me nenin 493 të KPPK-së./BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi