Për të pestën herë dështon të nisë gjykimi ndaj të akuzuarve për korrupsion

Për të pestën herë dështon të nisë gjykimi ndaj të akuzuarve për korrupsion

Për të pestën herë me radhë ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj tre të akuzuarve për keqpërdorim detyre, Dimitrije Raqiqeviq, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami, si dhe ndaj tetë të akuzuarve për ndotje, degradim dhe shkatërrim të mjedisit, Naser Kelmendi, Arian Idrizaj, Gentjan Sula, Riad Hasani, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Sanije Geci dhe Labinot Vitia.

Shkak për mosmbajtjen e seancës së paraparë për të mërkurën ishte mungesa e të akuzuarit Arian Idrizaj.

Gjykatësja Kadrie Goga-Lubishtani tha se mbrojtësi i të akuzuarit Idrizaj, avokati Skender Musa ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme.

Kështu, seanca fillestare u shty në kohë të pacaktuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Raqiqeviq akuzohet se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si person zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që ka lëshuar të paktën 20 leje ndërtimi në vikend zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, ku ndërtimi është rreptësishtë i ndaluar, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar Sharri, e gjithashtu ka lëshuar leje ndërtimore në zonën e tretë, për objektet hoteliere “Rezonanca”, “Rimida” dhe “Arena”, si dhe për vikend shtëpiza për personat fizik Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat ndërtime kanë degraduar ambientin në këtë zone turistike si dhe kanë dëmtuar ujërat e Lumit “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dizpozitivit të dytë të aktakuzës, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami akuzohen se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si persona zyrtar-inspektore komunal të ndërtimit, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimin për ndalimin e ndërtimit në vikend zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, të 6 (gjashtë) objekteve – vikend shtëpiza të pronarit Riad Hasani, për të cilat objekte ishin anuluar lejet e ndërtimit nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës, e gjithashtu nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit në zonën e tretë të Parkut të objektit vikend shtëpizë të Sanije Gecit e cila kishte tejkaluar lejen ndërtimore, si dhe ka ndërtuar një pjesë të objektit mbi lumin “Murzhica” si dhe të aneks objektit të Dalibor Trifunoviqit, i cili kishte ndërtuar pa leje ndërtimore, të cilat ndërtime janë në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë, të cilat kanë degraduar mjedisin dhe kanë dëmtuar ujërat e lumit “Murzhica”

Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, Gentjan Sula akuzohet se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”, në atë mënyrë që ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disa katesh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Naser Kelmendi akuzohet se nga viti 2014, në zonë turistike te Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding” dhe parcelave kadastrale nr.6818/26, 6419/35, 6380/1, 6962/1, 6419/20 dhe 6419/34 ZK Verbeshticë, ka ndërtuar objekte banesore – vikend shtëpiza, si fshat turistik, pa pëlqim mjedisor dhe pëlqim të ujërave në afërsi të lumit “Murzhica”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe të Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke dëmtuar drunjtë, tokën dhe ujin, të cilat vikend shtëpiza pastaj ia ka shitur personave fizik.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Arian Idrizaj akuzohet se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe token, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Tutje, Labinot Vitija akuzohet se nga viti 2012, në zonën turistike të Parkut Kombëtar Sharri në Brezovicë, ka degraduar mjedisin, duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, ka ndërtuar 5 (pesë) vikend shtëpiza në zonën e dytë dhe të tretë të parkut, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe një objekt hotelier ËOODLAND disa katësh, pa leje ndërtimi, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Blerim Imeraj akuzohet se nga viti 2016, në zonën turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, kanë degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, ka kontraktuar ndërtimin e disa vikend-shtëpizave me ndërmarrjen ndërtimore “Quka – CO”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat vikend shtëpiza ia ka shitur personave fizik.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Sanije Geci akuzohet në fillim të vitit 2016, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17, ka filluar ndërtimin e objektit banesor – vikend shtëpizë B+P+1+NK, me sipërfaqe prej 835.14 m2 , kurse gjatë ndërtimit ka ndërruar destinimin e objektit në objekt hotelier “Kaona Hotel”, duke ndërtuar pa leje aneks objekt, në afërsi të lumit “Murrzhica” në distancë 1.90 m, kurse një pjesë e objektit në pronën ujore prej 2,95 m, me një sipërfaqe të përgjithshme të objektit prej 1821.56 m2 , i cili ndërtim është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e fundit të aktakuzës, Riad Hasani akuzohet se nga 24 korriku 2017 e deri në fund të vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2 , përmes firmës ndërtimore “Quka CO” ka ndërtuar 6 vikend shtëpiza në zonën e dytë të parkut edhe pse lejet ndërtimore ishin anuluar sipas vendimit të Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës me numër 06-030/01-4248/17 të datës 24.07.2017, si dhe ka ndërtuar objektin afarist – hotelier “Rimida” – B+P+4+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi