Dy çerdhe me bazë në komunitete priten të hapen në Komunën e Lipjanit
Qendra për Shërbime Humane dhe Zhvillim, pas një bashkëpunimi te ngushtë një vjeçar me Komunën se Lipjanit, sot ka nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit për implementimin e projektit, “Forcimi i ndërgjegjësimit, qasjes dhe cilësisë së arsimit bashkëkohor, gjithëpërfshirës, të barabartë dhe të përgjegjshëm ndaj gjinisë në fëmijërinë e hershme, me fokus në komunën e Gjilanit, Lipjanit dhe Dragashit”.
Marrëveshja u nënshkrua nga Mimoza Shahini themeluese e Qendrës për Shërbime Humane dhe Zhvillim dhe Imri Ahmeti, kryerat i komunës.
Themeluesja e QSHHZH-së, Mimoza Shahini, theksoi se janë në fazën e dytë të projektit, i cili do të mbështesë hapjen e dy qendrave të reja me bazë në komunitet, në Magure dhe Shalë dhe njëkohësisht do të përmirësojë kapacitetet e profesionistëve të cilët janë të përfshirë në edukimin, zhvillimin dhe kujdesin e fëmijëve të moshës 0-6 vjeç. Gjatë përfshirjes së fëmijëve në këto qendra do t’ju jepet mbështetje të gjitha komuniteteve që gjenden në këtë komunë.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes kryetari i Komunës se Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se është shumë e rëndësishme të theksohet se kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Qendrën për Shërbime Humane dhe Zhvillim, për të mbështetur së bashku rritjen e kapaciteteve për përfshirjen e fëmijëve 0-6 vjeç edhe ne fshatra të tjera. Ai gjithashtu theksoi se është mirënjohës për hapjen e dy qendrave të reja në Magure dhe në Shalë, të cilat janë të një rëndësie të veçante pasi për herë të parë prindërit e këtyre fshatrave do të kenë mundësinë të dërgojnë fëmijët në institucione edukative. Kryetari Ahmeti tha se ne do ta zgjerojmë bashkëpunimin me QSHHZH në të ardhmen.
Ky projekt financohet nga UNICEF, në kuadër të një prej objektivave madhore, për përmirësimin e mirëqenies dhe zhvillimit të fëmijëve gjatë viteve të tyre formuese, veçanërisht në fushën e mësimit të hershem.





























