Arsyetimi i Apelit për vërtetimin e dënimit të deputetit Ivan Todosijeviq

Arsyetimi i Apelit për vërtetimin e dënimit të deputetit Ivan Todosijeviq

Në gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit ka njoftuar përmes një komunikate për media se deputetit Ivan Todosijeviq i është vërtetuar dënimi me dy vite burgim, për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, në të cilin thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se në dispozitivin e aktgjykimit janë përshkuar në tersi veprimet inkriminuese të cilat formojnë elementet e veprës penale për të cilin është shpallur fajtor i akuzuari.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është i qartë dhe i kuptueshëm, e se në arsyetim janë dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështje juridike, për të cilat arsye edhe kjo gjykatë i aprovon si të drejta dhe ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e Apelit gjen të pabazuar pretendimin ankimor lidhur me atë se si gjykata e ka vërejtur se i akuzuari e ka përdorur fjalët “gjakpirës” ose “Masakra në Reçak” ose “Masakra e Reçakut”, kjo për faktin se në aktgjykimin e ankimuar, faqe 12, gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qartë se këto fjali të shqiptuara-përdorura nga i akuzuari vërtetohen nga shikim dhe dëgjimi i CD, i cili si provë materiale është administruar në shqyrtimin gjyqësor të datës 02.12.2019, faqe 5, në të cilën procesverbal është konstatuar, në përgjithësi rreth provave materiale të administruara, ku mbrojtësi i të akuzuarit është deklaruar me vërejtje që do t’i përmendin në fjalën përfundimtare”, thuhet në vendim.

Sa i përket pretendimit të mbrojtjes se është shkelur neni 10 i Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut, Apeli ka gjetur se ky pretendim ankimor është i pabazuar.

“Gjykata e shkallës së parë në aktgjykimin e ankimuar, faqe 10 dhe 16, ka dhënë arsyet e mjaftueshme se për çfarë arsye e konsideron se deklarata e të akuzuarit nuk gëzon mbrojtjen sipas nenin 10 par.1 të Konventës Evropiane meqenëse si e tillë i tejkalon kufijtë e lirisë së shprehjes si parashihet sipas nenit 10 par.2 të Konventës në fjalë”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, deklarimi i të akuzuarit në tubimin e qytetarëve ditën kritike nuk mund të trajtohet si liria e shprehjes së mendimit që ka të bëjë me çështjen e interesit publik, e që garantohet me nenin 10, paragrafin 1 të Konventës Evropiane por, ajo në vete përmban plotësisht formën e nxitjes në urrejtje dhe përçarje ndaj popullatës së përkatësisë shqiptare në Kosovë.

“Sipas bindjes së kësaj Gjykate këto shprehje e të akuzuarit e tejkalojnë lirinë e shprehjes dhe si të tilla përbëjnë figurën e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor, prandaj pretendimi ankimor i mbrojtës, se deklarata e të akuzuarit nuk përmban kurrfarë thirrje në hakmarrje, as në dhunë e drejtuar kundër dikujt as konkret e as abstrakt por deklarata e tij ka të bëjë me ngjarjen nga e kaluara e cila nuk ka kurrfarë lidhje me veprimin e askujt pas 20 vitesh, është e pabazuar meqenëse kjo deklaratë i atribuohet në mënyrë fyese popullatës shqiptare duke dhënë mesazhe të qarta të nxitjes dhe përhapjes publikisht të urrejtjes dhe përçarjes ose mosdurimit midis grupeve kombëtare sidomos në një ambient të shoqërisë shumë etnike të porsadalë nga konflikti i armatosur, andaj nga rrethanat e fakteve të vërtetuara rrjedh se veprimet-deklarimi i të akuzuarit tejkalojnë lirin e shprehjes të garantuara sipas nenin 10 të Konventës dhe se këto veprimet janë të sanksionuara si vepër penale për të cilën është shpallur fajtor i akuzuari, e cila gjendje faktike gjen mbështetje edhe nga praktikat e Gjykatës Europiane”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit vlerëson se deklarata e të akuzuarit bart përgjegjësi të qartë për shkaktimin e ndjenjës së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndaj popullatës shqiptare, veçanërisht në mesin e të pranishmëve të cilët, në format e ndryshme, kanë përjetuar humbjet dhe dhimbjet nga konflikti i armatosur në Kosovë.

“Mesazhi i të akuzuarit i drejtuar në ditën kur qytetarët në Zveçan ishin tubuar kundër intervenimit të NATO-së jep jehonë të fortë dhe në mënyrë të qartë arrin të nxis publikisht urrejtjen ndaj grupit tjetër kombëtarë. Sipas bindje së kësaj Gjykate gjetja fajtor dhe dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është i arsyeshëm dhe në interes të parandalimit të prishjes së rendit publik dhe mbrojtjes së të drejtave të grupit kombëtarë, në rastin konkretë shqiptar”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në vendim thuhet se Gjykata e Apelit gjen se nga provat materiale dhe nga deklaratat e të akuzuarit të dhëna gjatë procedurës penale, është e qartë se i njëjti nuk ka mohuar fjalitë dhe shprehjet e thëna në atë tubim, e të përshkruara më afër si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar.

“Ai këtë nuk e ka mohuar në deklaratat e dhënë në polici dhe prokurori pas ballafaqimit të tyre por vetëm kishte sqaruar që nuk kishte për qëllim që të ofendoj askënd dhe nuk ka bërë dallim mes viktimave pa marrë parasysh a janë ato shqiptare apo serbe. Andaj, nga provat si në shkresat e lëndës në tërësi vërtetohet gjendja faktike për veprimet inkriminuese e të akuzuarit për të cilat është shpallur fajtor”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë.

“Lidhur me pretendimin ankimor se veprimi inkriminues nuk ka shkaktuar trazira, dhunë ose pasoja tjera të rënda siç parasheh në formën e rëndë të kësaj vepre nenin 147 par.2 i Kodit Penal, kjo Gjykatë e gjen të pabazuar ndërsa në tersi pajtohet me qëndrimin juridik të gjykatës së shkallës së parë se për tu konsideruar se është kryer kjo vepër penale sipas paragrafit 2, si formë cilësuese, nuk përcakton domosdoshmërish të shkaktohet dhuna apo të ketë trazira, por mjafton që të jetë përmbushur njëra nga format e parapara sipas këtij paragrafi, e që në rastin konkretë i akuzuari është gjetur fajtor për shkak se me rastin e fjalimit të tij në tubin e qytetarëve në Zveqanë ditën kritike ka keqpërdore pozitën e tij si Ministër i MAPL kur i u është drejtuar të pranishmëve në këtë tubim me gjuhën e përhapjes publike të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit midis grupeve kombëtare që jetojnë në Republikën e Kosovës, duke i quajtur dhe cilësuar se “ janë terroristë shqiptar që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e metohi…”,”, thuhet tutje në vendim.

Apeli gjen se i akuzuari duke qenë i vetëdijshëm se mbante pozitën e Ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, shfrytëzon këtë tubim publik duke u paraqitur në foltoren për tu drejtuar të pranishmëve pikërisht në ditën kur shënohej kundër intervenimit të forcave të NATO-ës, lidhur me konfliktin e armatosur në Kosovë, duke e ditur, jo vetëm të pranishmit, por edhe opinioni i gjerë se çdo paraqitje dhe fjalim publik i zyrtarëve të lartë shtetëror nënkupton paraqitjen e tij para opinionit si person zyrtarë i lartë, i cili përfaqëson një Ministri të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në fund thuhet se Apeli nuk pajtohet me gjetjen e gjykatës së shkallës së parë, kur ka vlerësuar si rrethanë rëndues dashjen direkte të të akuzuarit, ngase thuhet se ajo është element subjektiv i veprës penale.

“Mirëpo nën ekzistimin e të gjitha të gjeturave tjera për vendimin mbi dënimin e të vlerësuara nga gjykata e shkallës së parë ti pranon edhe kjo gjykatë si të drejta me bindje se dënimi i shqiptuar është në funksion të parandalimit të kryesit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe ndikoj në rehabilitimin e tij dhe të parandaloj personat e tjerë nga kryerja e veprave penale dhe me këtë dënim të shqiptuar të akuzuarit do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë në nenit 41 të KPRK-së.”, përfundon arsyetimi i vendimit të shkallës së dytë.

Ndryshe, më 24 gusht “Betimi për Drejtësi” ka raportuar se deklaratat fyese për masakrën e Reçakut të deputetit aktual të Listës Serbe dhe ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) Ivan Teodosjeviq, do t’i kushtojnë atij me humbjen e mandatit të deputetit.

Todosejviq ishte dënuar nga shkalla e parë më 5 dhjetor 2019, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai ka qenë ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila ishte në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të vitit 2019, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi