Lirohen nga akuza e korrupsionit tre inspektorët e Kamenicës
Inspektorët e tregut të Komunës së Kamenicës, Enver Ismajli, Naser Vllasi dhe Dubrivoje Milkoviq, janë liruar nga akuza për korrupsion.
Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të mërkurën nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Aziz Shaqiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Azizi ka thënë se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
I njëjti ka bërë të ditur se palët e pakënaqura për këtë çshtje penale mund të bëjnë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 7 shtator 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Enver Ismajlit, Naser Vllasit dhe Dubrivoje Milkoviq, me arsyetimin se më 16 gusht 2020, rreth orës 21:30, si inspektorë të tregut në Komunën e Kamenicës, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për personin tjetër.
Sipas prokurorisë, të akuzuarit edhe pse kanë qenë të njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës se në lokalin “In Time”, me pronar Fidan Maliqi, në rrugën “Skënderbeu” në Kamenicë, nuk është duke u respektuar vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me pandeminë COVID-19, me ç’rast nuk është mbajtur distancë sociale dhe prania e personave ka qenë mbi 50 persona, të akuzuarit me asistencën e policisë kanë shkuar tek lokali në fjalë, por nuk kanë marrë asnjë veprim. Këtë thuhet se e kanë bërë me arsyen kinse gjithçka është në rregull në atë lokal, duke u deklaruar se janë autoriteti i vetëm që merren me këtë çështje dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetmipërDrejtësi























