Hudhet aktakuza ndaj të akuzuarit për pjesëmarrje në grup terrorist në Siri
BKT
   Betimi për Drejtësi

Hudhet aktakuza ndaj të akuzuarit për pjesëmarrje në grup terrorist në Siri

Apeli ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Hamza Hyseni, avokatit Amir Bunjaku, andaj është hedhur poshtë aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), pasi sipas kësaj gjykate aktakuza është paraqitur jashtë afatit ligjor.

Në këtë rast, Hamza Hyseni ngarkohej se ka marrë pjesë në organizatat terroriste, gjatë qëndrimit në Siri.

Gjykata e Apelit aprovoi ankesën e avokatit Bunjaku, ashtu që e ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe aktakuzën e ka hedhur poshtë, pasi që sipas kësaj gjykate aktakuza është paraqitur jashtë afatit ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Apelit ka gjetur se vendim i ankimuar është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në aktvendim thuhet se gjykata e shkallës së parë me vendimin me të cilin e ka refuzuar hedhjen e aktakuzës nuk ka bërë vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së afatit të hetimit dhe ngritjes së aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 qershor 2021, nga PSRK-ja, Hamza Hyseni po akuzohet se me dashje dhe vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të tij në Kosovës, ku bashkë me Nuredin Sylejmani si dhe disa persona të tjerë kishin shkuar në Siri.

Siç thuhet në aktakuzë, pasi që kanë arritur në Siri, në qytetin Idlib, janë takuar edhe me shqiptarë të tjerë, ku të gjithë kanë filluar ushtrimet ushtarake me qëllim që të kthehen në luftime kundër organizatës “Al Nustra”, e cila më vonë është njohur si ISIS dhe është shpallur organizatë terroriste.

Me këtë, ai ngarkohej me veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2, i Kodit Penal, ku dënimi parashihet prej pesë deri në dhjetë vite burgim. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi