Mustaf Tahiri zgjedhet kryetar i Gjykatës në Ferizaj
BKT
   Betimi për Drejtësi

Mustaf Tahiri zgjedhet kryetar i Gjykatës në Ferizaj

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e 266-të të mbajtur të hënën, ka zgjedhur gjykatësin Mustaf Tahiri kryetar të Gjykatës Themelore në Ferizaj, derisa ka dështuar emërimi i kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren.

Gjykatësi Tahiri mori besimin e gjashtë anëtarëve të këshillit, ndërsa kundër kandidatët e tij, gjykatësit Shabi Idrizi, Ilir Bytyqi dhe Sahit Krasniqi morën nga një votë, derisa Faton Ajvazi nuk mori asnjë votë.

Mandati i Tahirit si kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj do të jetë pesë (5) vjeçar dhe do të fillojë nga 1 tetori 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj mbledhje ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren, pasi kandidati i vetëm në garë, gjykatësi Agron Hoxha, nuk mori votat e mjaftueshme për tu zgjedhur në këtë pozitë. Kjo pasi kundër kandidaturës së tij votuan shtatë anëtarë të këshillit, ndërsa për votuan vetëm dy.

Hoxha ka qenë kandidati i vetëm në këtë garë, pasi që kandidati tjetër, gjykatësi Artan Sejrani, ditën e intervistimit kishte njoftuar tërheqjen nga gara për arsye personale.

Lidhur me këtë, kryesuesi i KGjK-së Albert Zogaj njoftoi se pas dështimit të procesit të përzgjedhjes së kryetarit në Gjykatën Themelore në Prizren, konkursi në këtë gjykatë do të përsëritet.


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi