Mbrojtja e Jakup Krasniqit kërkon certifikim për të apeluar vendimin e tetë
BKT
   Betimi për Drejtësi

Mbrojtja e Jakup Krasniqit kërkon certifikim për të apeluar vendimin e tetë

Mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar certifikim për të apeluar vendimin e tetë të gjyqtarit paraprak, lidhur me masat mbrojtëse të kërkuara nga prokurori i specializuar.

Kërkesën në fjalë mbrojtja e ka bërë për tri çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Çështja e parë është nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar kur ka gjetur se mbrojtja ishte në përgjithësi në gjendje të jepte përgjigje kuptimplotë ndaj kërkesës së tetë të prokurorit special për Masa Mbrojtëse.

Tutje, lidhur me atë nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi kur gjeti se zbulimi [REDAKTUAR] për Mbrojtjen do të përbënte një rrezik objektivisht të justifikueshëm për dëshmitarët dhe se zbulimi i vonuar ishte i nevojshëm në bazë të faktorëve gjenerikë [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], [REDAKTUAR]

Ndërkaq, çështja e tretë është nëse gjyqtari i procedurës paraprake gaboi në gjetjen se zbulimi i vonuar i Mbrojtjes [REDAKTUAR] nuk cenon drejtësinë e përgjithshme të procedurave dhe të drejtat e gjykimit të drejtë të të akuzuarit.

“Efekti i [REDAKTUAR], [REDAKTUAR] është se Mbrojtjes për Jakup Krasniqin (“Mbrojtja”) i mohohet koha dhe lehtësitë e përshtatshme për t’u përgatitur për gjykim. Prandaj, Mbrojtja kërkon certifikim për të apeluar Vendimin e Tetë”, thuhet në këtë parashtresë.

Tutje, në parashtresë thuhet se këto çështje ndikojnë ndjeshëm në kryerjen e drejtë dhe të shpejtë të procedurave dhe se zgjidhja e çështjeve do të avancojë materialisht procedurat.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. 


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi