Mbrojtja kërkon aprovimin e mocionit për sfidimin e juridiksionit të DHSK-s
Duke iu kundërpërgjigjur Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila kishte kërkuar që gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, të refuzojë mocionin paraprak të mbrojtjes së Pjetër Shalës për sfidimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, kjo e fundit ka kërkuar aprovimin e këtij mocioni.
Në përgjigje, mbrojtja e Shalës ka paraqitur argumentet lidhur me pretendimet që ZPS ka parashtruar në përgjigje të tyre sa i përket mocionit të mbrojtjes për sfidimin e juridiksionit të gjykatës.
Në shkresën e deponuar në gjykatë e publikuar në faqen zyrtare, mbrojtja ndër të tjera ka thënë se mban argumentet e paraqitura në mocionin e saj paraprak dhe kundërshton çdo parashtrim të bërë në përgjigje të ZPS-së, përveç nëse nuk specifikohet ndryshe.
Përgjigjen e mbrojtjes mund ta gjeni këtu:
Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.
“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhej në komunikatën e Speciales. /BetimipërDrejtësi























