Në 21-vjetorin e protestës kundër Millosheviçit, Vulin mbron të kaluarën
BKT
Rajoni dhe Bota

Në 21-vjetorin e protestës kundër Millosheviçit, Vulin mbron të kaluarën

Lëvizja Socialiste e Serbisë, në krye të së cilës është Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, përmes një deklarate është shprehur se pas protestës së madhe popullore serbe të 5 tetorit të vitit 2000 kundër “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Milllosheviçit, “Serbia është sunduar nga e keqja”.

“Puçi i 5 tetorit solli regjimin anti-serb në Serbi, të cilët bënë privatizimin dhe vjedhjen, dhe nxorën jashtë pune e në rrugë mijëra punëtorë”, deklaroi partia e Aleksandër Vulin.

Sipas kësaj deklarate të PS-së, parti kjo që është në koalicion qeverisës me SNS-në e Aleksandër Vuçiç, Opozita e Serbisë që mori pushtetin pas 5 tetorit “mbyllën fabrikat, i lanë të gjithë të papunë, sollën krimin, e humbën Malin e Zi, e lejuan përndjekjen e serbëve nga Kosova”.

Madje kjo parti shkroi se Kosova është “gati se e pavarur për shkak të opozitës ”.

“Atyre që ëndërrojnë dhe bëjnë thirrje për 5 tetorin, dhe sidomos 6 tetorin, u them të mos ëndërrojnë më, sepse Serbia dhe populli serb kurrë s’do ta lejojnë më veten të mashtrohen, vjedhen dhe poshtërohen”, shkruan kjo parti në një deklaratë, përcjell AlbanianPost.

Ndërkaq, në rastin e 21 vjetorit të protestave të mëdha në Beograd për rrëzimin e “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç nga pushteti, ku opozita e bashkuar e përbërë nga një grup prej 18 partish, protestoi ashpër me 5 tetor në vitin 2000, Lëvizja e Social Demokratëve të Vojvodinës përmes një reagimi bëri thirrje për ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për luftërat e viteve të 90-ta në ish-Jugosllavi.

“Mbetjet e Millosheviçit dhe të Sheshelit ende shpërndajnë urrejtje sikurse në vitet e 1990-ta. Kriminel të dënuar të luftës ende bëjnë paradë në media, dhe tani edhe po dalin rrugës e po kërkojnë lirimin e vrasësve të Zoran Gjingjiç”, shkroi LSV-ja.

Sipas kësaj lëvizje politike, ata që janë përgjegjës për luftërat e përgjakshme, ende nuk kanë dhënë përgjegjësi për ato.

“Kjo është disfata më e madhe ndaj demokracisë në Serbi. Sot po jetojmë ende pasojat e asaj distafe. LSV beson ende në një Serbi evropiane dhe moderne. Ne besojmë se Serbia ka ende shans”, deklaroi Lëvizja social-demokrate.

Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës kujton se në vitin 2000, ajo bëri thirrje për lustrimin e të gjithë individëve që morën pjesë në shkatërrimin e shtetit të Serbisë dhe shkeljen e të gjitha të drejtave të qytetarëve gjatë sundimit të Millosheviçit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota