Dështon të vazhdojë gjykimi për shtytje në terrorizëm

Dështon të vazhdojë gjykimi për shtytje në terrorizëm

Në mungesë të akuzuarës për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, Ikballe Berisha-Huduti, është shtyrë seanca e paraparë për të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Avokatja Kosovare Kelmendi ka bërë të ditur se e mbrojtura e saj, e akuzuara Huduti nuk mund të jetë prezentë në gjykatë për shkaqe personale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, kryetarit i trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli seancën e ka shtyrë për 22 nëntor 2021.

Ky rast fillimisht i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Ramaj–Shabani, mirëpo pas rritjes së numrit të gjykatësve në këtë departament, ky rast i është caktuar gjykatësit Vesel Ismajli.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 shtator 2020, Ikballe Berisha-Huduti akuzohet se me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook” kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”.

Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen.

Më këtë veprim, PSRK-ja po e akuzon atë për kryerjen e veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi