Hapet konkurs për zgjedhjen e anëtarëve në KGJK, KPK dhe KPMSHCK

Hapet konkurs për zgjedhjen e anëtarëve në KGJK, KPK dhe KPMSHCK

Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mërkurën, ka hapur konkurs për zgjedhjen e tre anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), një anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) si përfaqësues nga shoqëria civile dhe shtatë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Njoftimi për hapjen e këtyre tre konkurseve është bërë i ditur përmes ueb-faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës, ku është bashkëngjitur edhe dokumenti i aplikimit për secilin nga konkurset.

Sipas këtij njoftimi, afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve, sipas këtyre tre konkurseve, është data 25 tetor 2021, në orën 16:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në konkursin e shpallur nga Kuvendi për tre anëtarë të KGjK-së, rezulton se njëri nga ta do të votohet nga deputetët që i mbajnë vendet e rezervuara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve.

Anëtari i dytë sipas konkursit do të votohet nga deputetët e Kuvendit që i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit serb, kurse anëtari i tretë sipas këtij konkursi do të votohet nga deputetët e Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve tjera.

Ndërkaq, në konkursin e rishpallur nga Kuvendi për zgjedhjen e anëtarit të KPK-së nga shoqëria civile, kërkohet që kandidati t’i plotësojë këto kushte: Të jetë shtetas dhe banor i Republikës së Kosovës; të ketë përgatitje të lartë profesionale nga fusha e drejtësisë; të ketë njohuri nga fusha e të drejtave të njeriut; të ketë përvojë pune në çështjet ligjore së paku pesë vjet; të ketë përkrahjen e së paku pesë organizatave të shoqërisë civile të fushës së drejtësisë dhe të mos jetë i dënuar për vepër penale.

Sa i përket konkursit për zgjedhjen e shtatë anëtarëve të KPMSHCK-së, rezulton se prej tyre së paku dy anëtarë duhet te jenë nga radhët e komuniteteve tjera joshqiptare dhe së paku dy anëtarë duhet te jenë të gjinisë femërore.

Ndryshe, KGjK aktualisht në përbërjen e saj ka 10 anëtarë, pasi anëtari i saj i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, Driton Muharremi më 6 gusht 2021 kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga kjo pozitë.

Ligji Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës në nenin 8 ka përcaktuar përbërjen dhe përzgjedhjen e anëtarëve të KGjK-së. Sipas paragrafit 1, nënpar.1.1 dhe 1.2 të nenit 8, nga gjithsej 13 anëtarë sa i ka ky këshill, shtatë prej tyre do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit, ndërsa gjashtë të tjerë zgjedhen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës përbëhet nga gjithsej 13 anëtarë, nga të cilët 10 prej tyre vijnë nga radhët e prokurorëve, ndërsa tre të tjerët janë një avokat nga Oda e Avokatëve, një anëtar profesor universitar i drejtësisë dhe një përfaqësues nga shoqëria civile.

Ndërkaq, me Ligjin Nr. 03/L-192 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës përcaktohet se KPMSHCK-ja është organ i pavarur  që i raporton në mënyrë të drejtpërdrejtë Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Funksionet e  këtij institucioni, sipas ligjit janë të përqendruara në shqyrtimin e ankesave të nëpunësve civil dhe aplikuesve për punësim në shërbimin civil të Kosovës, mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil  dhe vëzhgimin e zgjedhjes së nëpunësve civil të nivelit drejtues dhe niveleve të njëjta në institucionet e Kosovës.

Sipas ligjit, KPMSHCK-ja përbëhet nga 7 anëtarë të cilët emërohen nga Kuvendi i Kosovës, prej të cilëve së paku dy anëtarë emërohen nga komunitetet jo shqiptare dhe së paku dy anëtarë duhet të jenë të gjinisë femërore.

Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Kosovës më 30 qershor 2021 kishte marrë vendim për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Anëtarët e shkarkuar nga Kuvendi ishin Eshref Shabani, Malsore Gashi-Bajraktari, Jeton Koca, Arben Mehemti, Ardita Haxhnikaj-Demi.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi