​Uran Ismaili zotohet për transport publik falas në Prishtinë
BKT
   Komunat

​Uran Ismaili zotohet për transport publik falas në Prishtinë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovë për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka premtuar transport publik falas për të gjithë qytetarët e kryeqytetit.

Ismaili ka treguar se kostoja e transportit publik falas në Prishtinë do të kushtojë rreth 15 milionë euro në vit.

Sipas tij, të hyrat që do të gjenerohen nga menaxhimi i parkingjeve do të jetë rreth 12 milionë euro, që afërsisht do të mbulojë shpenzimet e transportit falas.

“Në programin tim ne e kemi zgjidhjen me mua si kryetar i komunës së Prishtinës, Prishtina do të ketë transport publik falas. Transporti publik falas është domosdoshmëri për të qetësuar trafikun në kryeqytet për të krijuar hapësira të reja për shtigjet e këmbësore dhe për të krijuar mundësi ndërtimit për shtigjet për biçikletë për të ulur nivelin e ndotjes të ajrit në Prishtinës. Për të ulur koston e mirëmbajtjes së rrugëve si dhe në fund për të vendosur rend dhe rregull në organizimin e transportit në Prishtinë”, tha ai.

Derisa ka folur për ngarkesën e madhe në rrugët e Prishtinë si shkaktar ai ke identifikuar planifikimin i cili sipas Ismaili është bërë me fokus në nevojat e veturave, e jo në nevojat që i ka qytetari që jeton në Prishtinë. Prandaj ai zgjidhje të vetme për të çliruar kryeqytetin e sheh transportin publik falas.

“Transporti publik falas i bashkë dyzuar me hapësira për parkingje jashtë qytetit do të ulë fluksin e veturave dhe do t’iu mundësonte qytetarëve një alternativë tjetër të lirë për transport dhe në fund do të siguronte që veturat që hyjnë në qytet nga jashtë të reduktohet dukshëm numri i tyre. Kjo e çliron qytetin nga trafiku dhe liron hapësirat publike të uzurpuara nga vetura të parkuara gjithandej”, tha ai.

Pretendenti për të parin e kryeqytetit nga PDK, Uran Ismaili ka treguar dhe mënyrën se si planifikon deri te transporti publik falas. Ai tha se operatorët e transportit publik do të futen në sistem të integruar dhe digjital të biletave, me ç’rast të gjitha të hyrat në periudhën tranzitore do të mblidhen nga Komuna e Prishtinës.

“Afër 8 milionë kilometra vozitje në vit janë të domosdoshme për të ofruar transport publik në të cilin mund të mbështetesh, si në arritje në kohë, si në orare të sakta. Për të ofruar këtë shërbim duhen minimal 160 autobusë! Sot, Trafiku Urban i ka 51. Sektori privat ka një numër të konsiderueshëm autobusësh, por janë në gjendje jo të mirë për shkak që mungon një kontratë me Komunën për ofrimin e shërbimit të transportit publik. Për të ardhur te 160 autobusët, Trafiku Urban duhet të blejë edhe 30 autobusë, proces ky që sipas kryetarit të tanishëm, Shpend Ahmetit tashmë veçse ka filluar. Ndërsa sektorit privat duhet ofruar kontratë për ofrim të shërbimit të transportit publik. Kjo kontratë duhet të jetë minimal 5-vjeçare, ndërsa për ata që bëjnë investime serioze në flotë të re dhe “eco-friendly”, kontrata do të jetë 10-vjeçare. Kjo kontratë do të jetë e ngjashme me trafikun e tanishëm urban që ka Komuna e Prishtinës, ku operatori paguhet për kilometra të vozitur”, tha Ismaili.


MË SHUME NGA    Komunat