“Termokos” i gatshëm për sezonin e ri të ngrohjes
BKT
   Komunat

“Termokos” i gatshëm për sezonin e ri të ngrohjes

Albulena Bytyqi

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” është e gatshme që të nisë sezonin e ri të ngrohjes, që pritet të fillojë më 15 tetor. Zyrtarë të kësaj kompanie premtojnë se cilësia e ngrohjes do të jetë shumë e mirë për rreth 15 mijë konsumatorë sa janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes.

Përderisa sezoni dimëror po afrohet Ngrohtorja “Termokos” tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet për një fillim të mbarë të sezonit të ri të ngrohjes. Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka, tha për Radio Kosovën se janë të gatshëm për një furnizim sa më cilësor për të gjithë konsumatorët.     

“Për pak ditë pritet fillimi i furnizimit me ngrohje, siç jemi të obliguar ligjërisht që me 15 tetor të jemi të gatshëm për të filluar furnizimin me ngrohje për afro 15 mijë konsumatorë. Përgatitjet kanë shkuar për se mbari. Nuk ka pasur asnjë problem deri me tani dhe janë kryer një varg ndërhyrjesh në rrjetin e ngrohjes në pikat me kritike të cilat në sezonin e fundit janë evidentuar rrjedhje në gypat primarë të ngrohjes”, tha ajo.

Uka tutje shtoi se gjatë këtij viti janë bërë riparime në rrjetin e ngrohtores, në ato vende ku ka qenë e nevojshme dhe sipas saj ka pasur edhe shtrije të reja të rrjetit në disa lagje të Prishtinës.

“Sivjet në kuadër të projektit për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, janë kryer një pjesë e punimeve në lagjen “Mati1” në rrugën “Muharrem Fejza”ku shtrija e rrjetit në këtë lagje ka përfunduar, tani më janë duke instaluar gypat e ngrohjes nëpër rrugicat e kësaj rruge ku do të kyçen disa objekte banesore”, tha ajo.

Në kuadër të projektit për zgjerim zyrtarët e “Termokosit” kanë premtuar se  edhe vitin e ardhshëm kanë do të vazhdojnë me zgjerim të rrjetit edhe ne lagje të tjera të kryeqytetit, të cilat nuk kanë qasje në ngrohtoren e qytetit.


MË SHUME NGA    Komunat