Drenori viziton kullën e Avdyl Agës, zotohet për ruajtjen e trashëgimisë
Kandidati për kryetar të Drenasit Xhavit Drenori, së bashku me kandidat për asamble nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin", kanë vizituar sot kullën e Avdyl Agës në Dobroshec të Drenasit.
Nga aty, pretendenti për kryetar të Drenasit, tha se kultura ka vend të rëndësishëm në programin e tij, teksa u zotua se trashëgimia kulturore do të jetë prioritet në qeverisjen e tij të ardhshme.
Drenori: Vlerat e trashëgimisë kulturore kanë zënë vend në programin tonë Video:
"Unë jam i lindur dhe rritur në këtë kullë, prandaj kjo është një arsye më tepër që unë të jem i kujdesshëm në qeverisjen e ardhshme, pasi janë një trashëgimtar i një familje të madhe të Avdyl Agës. Kjo kullë, por edhe kullat tjera që janë në regjionin e Drenasit, por edhe gjitha objektet tjera që kanë vlerë të trashëgimisë kulturore kanë zënë vend në programin tonë", tha ai.
Prioritet të veçantë për trashëgimin kulturore, premtoi edhe bartësi i listës për Kuvend komunal, Arbër Halilaj, i cili tha se në udhëheqjen e tyre gjitha kullat që kanë vlera të trashëgimisë do të restaurohen dhe rinovohen.
Halilaj: Do t'i rinovojmë dhe restaurojmë kullat e vjetra
"Në programin e iniciativës sonë kulturë zënë vend të rëndësishëm, sepse kultura jeton në shpirtin dhe zemrën e një populli. Drenasit do t'ia shtojmë aktivitetet kulturore, ndërsa sa i përket kullave të vjetrave sikur kjo ne do të merremi dhe do të kemi në fokus renovimin dhe restaurimin e gjitha kullave të vjetra, si pasuri e trashëgimisë kulturore. Ne synojmë të formojmë edhe një muze, ashtu siç duhet, i cili do të përfshinte periudhën antike, mesjetare dhe periudhën e mëvonshme deri tek lufta e UÇK-së. Ndërlidhur me këto kulla, eksponatet do ruheshin aty, pasi duke i mbajtur në familjet tona rrezikojnë të shkatërrohen. Ka ardhur koha që Drenasi të dëshmohet për vlerat që ka dhe ne do t'i mbrojmë këto vlera dhe t'i qesim në pah gjithmonë", tha Halilaj.
Nikoqiri i këtij takimi, përfaqësuesi i kullës së "Avdyl Agës", Izet Avdyli, tregoi për rëndësinë e kësaj kulle në trashëgiminë kulturore.
Avdyli: Kulla e Avdyl Ages është unikate, jo vetëm në Drenas por gjithë Kosovën Video:
"Kjo kullë është ndërtuar në fund të shekullit 19, përkatësisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjatë viteve 1910, ka shërbyer edhe si odë ku janë mbajtur tubimet e luftëtarëve për kryengritjet e atij viti. Vlen të përmendet se në këtë odë ka qëndruar edhe kryepleqnari Xhemajl Obria, për faktin se familja Avdyli dhe familja Obria ka kanë pasur lidhje miqësore të katërfishtë. Po ashtu kjo kullë shquhet edhe për vlerat e saj artitektonike, pasi është kullë unikate në trevën jo vetëm të Drenicës, por edhe Kosovë", tha ai.























