Themelohet panel hetimor për rastin e një prokurori në Prokurorinë e Pejës

Themelohet panel hetimor për rastin e një prokurori në Prokurorinë e Pejës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 204-të të mbajtur të hënën ka themeluar panelin hetimor AD.nr.10/2021 për rastin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë.

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku ka njoftuar se nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj kanë pranuar një kërkesë për zhvillimin e hetimeve disiplinore ndaj një prokurori të kësaj prokurorie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryesuesi Maloku tha se arsyeja e këtij takimi është pikërisht themelimi i një paneli hetimor, sipas kërkesës së pranuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë.

“Këtë kërkesë e kemi pranuar pikërisht pas takimit të mbajtur të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Konform Ligjit për përgjegjësi disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, jemi të obliguar që brenda afatit 15 ditë pune nga dita e pranimit të kërkesës të themelojmë panelin hetimor”, tha kryesuesi Maloku.

Pas hedhjes së shortit, anëtarë të panelit hetimor u përzgjodhën prokurori nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Afrim Shefkiu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe prokurori nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, Lulzim Sylejmani, i cili u caktua në pozitën e kryesuesit.

Në cilësinë e anëtarëve rezervë u zgjodhën prokurori nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi dhe prokurori nga Prokuroria Speciale, Naim Abazi.

Pika tjetër e rendit të ditës në këtë mbledhje u diskutua me dyer të mbyllura. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi