Hyseni premton përkrahje për bizneset në Podujevë
BKT
   Komunat

Hyseni premton përkrahje për bizneset në Podujevë

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni ka vizituar fabrikën e këpucëve të themeluar dy vjet më parë, nga ku ka premtuar se do të përkrahë biznese të tilla që të ofrojnë mundësi për orientimin e të rinjve në drejtime profesionale.

Ekrem Hyseni gjatë vizitës në këtë fabrikë ka thënë se këto biznese duhet të përkrahen dhe janë shtylla kryesore e zhvillimit.

Ai ka shtuar se në programin për katër vjet qeverisje kanë paraparë subvencionimin e bizneseve që produktet e tyre të shiten në tregun e jashtëm.

Hyseni: Këto biznese janë shtylla e ekonomisë sonë

"Ne sot vizituam këtë aktivitet mesatar që punëson 90 punëtorë për momentin me plane edhe për zhvillim edhe për punësim shumë më të madh të punëtorëve. Këto lloje të bizneseve janë shtylla e ekonomisë sonë dhe është premtuese që këto biznese në të ardhmen të jenë edhe bartës të zhvillimit ekonomik të vendit tone jo vetëm të Podujevës por edhe më gjerë. Kjo fabrikë prodhon këpucë për tregun e jashtëm për Itali dhe ky është shembull se si duhet të funksionojmë", u shpreh ai.

Më tej, ai ka shtuar se bizneset kanë nevojë për punëtorë te profesionit.

Hyseni: Çdo biznes ka nevojë për punëtorë

"Përkundër papunësisë së madhe, pothuajse çdo biznes ka nevojë për punëtorë të ri. Me gjithë ata qe ki biseduar kanë pasur nevojë për punëtorë. Ajo çfarë është defekt është arsimimi në drejtim të tregut. Dhe këtë e kemi ne në program. Do të fillojmë nga shkollimi i mesëm që të rinjtë t'i orientojmë në drejtime profesionale të cilat janë në mungesë në tregun e punës dhe këtë do t'iu dal në ndihmë shumë bizneseve", ka shtuar ai.

E kandidatja për asamble, Arjeta Salihu-Abazi theksoi se prioritet kanë punësimin dhe përkrahjen e gruas.

Salihu-Abazi: Do të kemi në fokus punësimin e gruas

"Tash në programin tonë veç do t'i kemi në fokus punësimin e gruas dhe veç në të ardhmen do të pesëfishojmë këtë fabrikë", ka shtuar ajo.

Kandidati i LDK-së për Podujevën, Ekrem Hyseni gjatë ditës do të mbaj edhe një takim me gratë llapjane.


MË SHUME NGA    Komunat