Dështon gjykimi ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes
Sharr Travel

Dështon gjykimi ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes

Të akuzuarit Armend Loshaj dhe Ylli Hoxha munguan pa arsye, kurse për të akuzuarit Uran Hasani dhe Premton Iberdemaj, gjykata s’kishte prova që janë ftuar me rregull. Andaj, kjo bëri që të dështojë seanca fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten.

Në këtë rast, pesë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj, ngarkohen në nëntor të vitit 2015, kishin marrë pjesë në protestën e organizuar nga VV-ja dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishin shkaktuar dëme të tjera materiale.

Në këtë seancë, prezent ishte vetëm i akuzuari Arbër Kaqorraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Eroll Gashi ka thënë se të akuzuarit Loshaj dhe Hoxha janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, kurse për të akuzuarit Hasani dhe Iberdemaj, gjykata nuk ka pranuar fletëktheseat  për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Në këto rrethana seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi