Inzaghi: Faleminderit Tare, por këtë herë dua tre pikët
Simone Inzaghi do të rikthehet në shtëpinë e tij pas 22 vitesh. Sfidon Lazion me Interin, por nuk i kursen falënderimet për Igli Taren dhe Lotiton. Megjithatë, ai thotë se këtë herë kërkon fitoren.
Riktheheni pas pushimit të kombëtareve, me shumë mungesa dhe me një kalendar të ngjeshur. Si përgatitet një tur force i tillë?
E dimë që do të luajmë 7 ndeshje shumë afër njëra-tjetrës, ashtu si në pushimin e parë. Do të kërkojmë të jemi gati sa më shpejt. Kam pasur pak futbollistë në stërvitje gjatë kësaj kohe, por kemi punuar mjaft mirë. Lojtarët europianë u rikthyen me disa probleme të vogla.
Ju e latë Lazion me një ide dhe tani do ta gjeni me një tjetër stil. Çfarë ka ndryshuar Sarri?
Mendoj se Lazio ka bërë ndeshje mjaft të mira. Është një ekip i ndërtuar ashtu siç duhet dhe ka ardhur një trajner i zoti për të organizuar skuadrat. Kanë humbur sfidën e fundit dhe do të jenë të rebeluar dhe me dëshirën për të bërë mirë.
Ju ka ndodhur ndonjëherë një situatë e tillë me amerikano-jugorët? Si është Sensi?
Më ka ndodhur kur duhet të luaja ndaj Sampdorias, por luajtëm të dielën. Këtë herë është ndryshe. Sanchez dhe Vidal nuk do të vijnë në Romë, por do të qëndrojnë në Milano. Do të rikthehen për Champions-in të martën. Sensi ka punuar me grupin, por nuk mund të godasë me të djathtën. Ndoshta rikuperohet për fundjavën e ardhshme.
Mendon se do të ishte mirë që të shtyhej ndeshja ashtu si në La Liga?
Unë do të flas me lojtarët, me Lautaron, Correan dhe Vecinon. Të shohim si janë. Në La Liga ia dolën t’i shtynë, por është një diskutim që duhet të bëhej më përpara. Kemi disa alternativa në këto role.
Si do ta organizoni sulmin në rast se Lautaro nuk do të jetë në gjendje të luajë?
Dzeko do të luajë. Pastaj kam disa alternativa. Kam Satrianon, Perisiçin dhe Calhanoglunë. Do të shoh situatën e Correas dhe Lautaros, i cili ka luajtur 80 minuta.
Si e gjykoni ecurinë e Calhanoglusë me Interin?
E kam thënë gjithmonë. Jam i kënaqur prej tij. Është pjesë e këtij projekti dhe nuk dorëzohet. Ka marrë një goditje në kombëtare, por bëri gjithçka për të qenë me ne nesër. Nuk e di nëse do të jetë titullar apo do ta nisë nga stoli. Jam i lumtur edhe me Dumfris. Po stërvitet mirë.
Si mund t’i merrni 3 pikët ndaj Lazios?
Duhet të jemi të qartë teknikisht. E dimë që Lazio do të bëjë presing, por duhet të jemi të gatshëm në të dyja fazat.
Ju riktheheni në Olimpico kundër të shkuarës. Çfarë emocionesh provoni?
Nuk është një ndeshje si gjithë të tjerat, por rikthim në shtëpi pas 22 vitesh. Do të jetë një emocion i madh që do të takoj futbollistët dhe njerëzit që kanë punuar. Do të ketë vërshëllima dhe duartrokitje. Janë pjesë e futbollit.
Prisni diçka nga presidenti Lotito?
Është thënë shumë, por ai dhe Tare për mua kanë qenë shumë të rëndësishëm. Falë tyre drejtova Lazion dhe kurrë nuk do të ndalem së falënderuari. Kemi arritur rezultate të rëndësishme.























