Zgjedhjet në Obiliq, qytetarët presin më shumë punësim
BKT
   Komunat

Zgjedhjet në Obiliq, qytetarët presin më shumë punësim

Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së deri në ora 15:00, mbi 31 përqind e qytetarëve të Obiliqit kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar për të parin e komunës.

Në qendrën e votimit 1501e në shkollën "Ibrahim Rugova", në këtë komunë mësohet se kanë votuar mbi 2 mijë qytetarë.

Menaxherja e qendrës, Shyhrete Gashi tha për KosovaPress, se kanë gjithsej 9 vendvotime ku rreth 8 mijë qytetarë mund t'i shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Ajo bëri të ditur se deri më tash gjithçka ka shkuar sipas rregullave dhe se janë respektuar të gjitha masat anti-COVID. Teksa u shpreh se nuk kanë pasur probleme apo ndërprerje të energjisë elektrike, siç u raportua për disa qendra të votimit.

Gashi: Deri thash procesi i votimit ka shkuar në rregull

"E gjithë procedura prej orës 7 kur është hapur qendra e votimit e deri më tash, ka shkuar në rregull... Janë gjithsej 9 vendvotime. Përafërsisht numri i votuesve është rreth 8 mijë. Po ka vazhdimisht votues dhe çdo gjë është në rregull deri më tash", tha ajo.

E qytetarët e kësaj komune, që kishin dalë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar u shprehën optimistë se në katër vitet e ardhshme do të përfundohen disa punë në komunën e Obiliqit.

Kështu mendon edhe Fetah Sallova, i cili tha se pret që punët e nisura në këtë komunë të përfundojnë pavarësisht se kush do të dalë i pari në garën zgjedhore, teksa tregoi edhe pritjet e tij nga këto zgjedhje.

Sallova: Presim më shumë punësim

"Meqenëse shumica e punëve janë kry, ato pak që kanë mbetur, cili ta merr ishalla i vazhdon përpara. Më tepër punësimi, këta të rinjtë bile mos me u end... Votën e dhamë aty ku menduam që ka perspetivë e ardhmja e komunës tonë", tha ai.

E rrugën për te qendra e votimit e kishte marrë edhe Berat Berisha, anipse kishte të lënduar këmbën. Ai tha për KosovaPress, se dëshira për ndryshim ka bërë që të votojë.

Berisha: Presim ndryshime

"Presim me i rregullu shumë gjëra, ndonjë ndryshim besoj. Për këtë arsye kam dal", tha ai.

Në zgjedhjet lokale për kryetar të komunës së Obiliqit po garojnë Xhafer Gashi nga Iniciativa qytetare, Hanefi Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje, Mehmet Krasniqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Xhemajl Krasniqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ajet Berisha nga Lëvizja për Bashkim.


MË SHUME NGA    Komunat