Supremja e liron nga akuza për korrupsion ish-komandantin policor të Novobë
Sharr Travel

Supremja e liron nga akuza për korrupsion ish-komandantin policor të Novobë

Gjykata Supreme e ka liruar nga akuza për marrje ryshfeti dhe moslajmërim të veprave penale ish-komandantin e Stacionit Policor në Novobërdë, Shukri Aliun.

Ai ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan më 13 nëntor 2020 dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Më pas, këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, pasi kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Megjithatë, Supremja e ka miratuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtja dhe vendimet e shkallës së parë dhe të dytë i ka ndryshuar, duke e liruar Aliun nga akuzat që i viheshin në barrë.

Në arsyetimin e aktgjykimit të Supremes, thuhet se me veprimet e të pandehurit për veprën penale marrje ryshfeti, sipas provave që gjenden në shkresat e lëndës, nuk janë realizuar tiparet objektive dhe subjektive të veprës penale.

“Gjykata e shkallës së parë të pandehurin e ka shpallur fajtor për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 par.1 të KPRK-së, duke përshkruar në dispozitivin e aktgjykimit të saj se kishte pranuar dhuratë-drunjë për ngrohje në sasi rreth 3-4 m3 , për zbulimin e vjedhjes së pyllit në pronësi të N.M. nga Gj. Mirëpo, sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës jo vetëm nga përshkrimi i theksuar me lartë, por as nga provat që gjenden në shkresat e lëndës, rezulton se në rastin konkret në veprimet e të pandehurit nuk janë realizuar të gjitha tiparet objektive dhe subjektive të veprës penale në fjalë dhe i cili konkludim rezulton nga analiza e dispozitës së nenit 428 par.1 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e Supremes.

Ndërsa, lidhur me veprën penale moslajmërim i veprave penale, Gjykata Supreme ka vlerësuar se në rastin konkret është përmbushur vetëm elementi fillestar, pasi behët fjalë për person zyrtar, ndërsa sipas kësaj gjykate nuk janë përmbushur në mënyrë kumulative elementet tjera të veprës penale “moslajmërimi i veprës penale”, të cilën e ka zbuluar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

“Duke vlerësuar pretendimet e theksuara në kërkesë, Gjykata Supreme e Kosovës, vlerëson faktin se në veprimet e të dënuarit nuk formësohen elementet e veprës penale dhe moslajmërimi i veprave penale apo i kryerësve të tyre nga neni 386 par.2 lidhur me par.1 nënpar.1.6 dhe 1.9 të KPRK-së dhe tek i cili konkludim ka arritur duke analizuar dispozitën e nenit 386 par.2 të KPRKsë e cila ka përcaktuar se: “Personi zyrtar apo personi përgjegjës i cili nuk e lajmëron veprën penale të cilën e ka zbuluar gjatë ushtrimit të detyrës së tij”, thuhet në vendim.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer dy herë në rigjykim nga Gjykata e Apelit. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi