Mbrojtja kërkon lirimin e Hysni Gucatit nga paraburgimi
Sharr Travel

Mbrojtja kërkon lirimin e Hysni Gucatit nga paraburgimi

Përmes një parashtrese drejtuar trupit gjykues, mbrojtja e Hysni Gucatit ka kërkuar lirimin e këtij të fundit nga masa e paraburgimit.

Gucati po akuzohet bashkë me Nasim Haradinajn për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Parashtresën e mbrojtjes së Gucatit mund ta gjeni këtu: https://repository.scp-ks.org/LW/Published/Filing/0b1ec6e980a3c614/Submissions%20on%20the%20Sixth%20Review%20of%20Detention.pdf

Ndryshe, gjykimi në këtë rast ka nisur më 7 tetor, kurse më 18 tetor dëgjimi i dëshmitares së parë, e cila dëshminë e saj po e vazhdon edhe sot.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi