Administrohen provat në rastin ku ish-polici po akuzohet për rrëmbim
Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, është bërë administrimi i provave materiale ndaj të akuzuarve V.K, B.N, V.K, F.S, M. I. dhe M.Z., të cilët ngarkohen nga Prokuroria se nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur, duke iu bërë video-incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.
Mbrojtësi i të akuzuarit B.N, avokati R.K, në emër të të gjithë mbrojtjes dhe të akuzuarve propozoi që të konstatohen si të lexuara provat materiale në shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Këtë propozim nuk e ka kundërshtuar prokurori Agron Uka, por ka propozuar që të shikohen tri CD që gjenden në shkresat e lëndës.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqatri Ramiz Azizi në këtë fazë ka aprovuar pjesërisht kërkesën e avokatëve mbrojtës, që shkresat e lëndës të konsiderohen të lexuara, ndërsa ka njoftuar se aprovohet propozimi i prokurorit që tri CD të cilat gjenden në shkresat e lëndës të shikohen.
Avokati i të akuzuarit V.K, B.B, ka propozuar se pasi që trupi gjykues mori vendim që të shikohen video-incizimet, nga ky moment të largohet publiku dhe seanca të jetë e mbyllur.
Në këtë fazë të procedures, pas konsultimit me anëtarët e trupit gjykues, gjykatësi Azizi ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, duke e mbyllur seancën gjatë shikimit të CD-ve.
Seanca e radhës është caktuar më 16 nëntor.
Ndryshe sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 shkurt 2021, në një villë në komunën e Novobërdës, të pandehurit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në atë mënyrë që të pandehurat M.I. dhe M.Z, fillimisht merren vesh që të dëmtuarit t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një villë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit V. K. (1978), B. N. dhe V. K.(1989), ndërsa i pandehuri F.S, ka qëndruar jashtë villës duke bërë roje.
Tutje sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda villës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.
Gjithashtu, thuhet se të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe armë.
Vepra penale “Rrëmbim” nga neni 191, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nën paragrafin 2.1, 2.2, 2.3 dhe nenin 31 të Kodit Penal, është e dënueshme deri në 12 vite burg. /BetimipërDrejtësi























