Vitia viziton qendrën tregtare, zbulon planin investues për polet ekonomike
Sharr Travel

Vitia viziton qendrën tregtare, zbulon planin investues për polet ekonomike

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Arben Vitia sot në mëngjes bashkë me ekipin e tij e kanë vizituar Bregun e Diellit, lokalet përreth dhe hapësirën e qendrës tregtare që është në lagje.

Në diskutim me banorët dhe bizneset e vogla në këtë lagje, Vitia është informuar prej afër për problemet me të cilat ballafaqohen banorët dhe bizneset e kësaj lagjeje të rëndësishme të kryeqytetit.

“Në kuadër të investimit në polet ekonomike të qytetit, do të investohet edhe në qendër tregtare si një hapësirë e rëndësishme komerciale për gjithë qytetin. Dhe këtë do ta bëjmë përmes NPB-së. Do të rregullohen hapësirat e përbashkëta, duke i funksionalizuar shkallët elektrike, ndriçimin, por edhe duke e bërë më atraktive qendrën për brende të ndryshme të njohura” ka thënë Arben Vitia.

Në prani të qytetarëve, Vitia e ka zbuluar planin e tij për lagjen e Bregut të Diellit si dhe detajet e programit të tij për investimet përcjellëse që do të bëhen gjatë mandatit të tij si Kryetar i Komunës së Prishtinës.

Në fund, Vitia i ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 14 nëntor, për t’i jetësuar ndryshimet e nevojshme të cilat do ta përmirësojnë cilësinë e jetës në Prishtinë, për të gjithë qytetarët.


MË SHUME NGA Komunat