Gjatë fundjavës vaksinime në sheshin “Shadervan” të Prizrenit
Sharr Travel

Gjatë fundjavës vaksinime në sheshin “Shadervan” të Prizrenit

Të gjithë qytetarët e Prizrenit apo ata që kalojnë në Prizren gjatë kësaj fundjave dhe ende nuk janë vaksinuar, e kanë një rast të mirë për të bërë këtë.

Me datën 28 dhe 29 shtator të gjithë ata që dëshirojnë të marrin dozën e parë të vaksinës mund të bëjnë në sheshin e qytetit të Prizrenit – Shadervan.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i QKMF-së në Prizren, Xhevat Elezkukaj, i cili thotë se vaksinën mund ta marrin edhe qytetarët që nuk janë nga komuna e Prizrenit.

Në sheshin e Prizrenit do të mund të vaksinohen vetëm ata që e marrin dozën e parë të vaksinës, ndërkaq doza e dytë merret në qendrën e vaksinimit.

Mundësia për vaksinimin pa ndonjë termin paraprak do të jetë e hapur nga ora 10:00 deri në 17:00.

“Ju njoftoj se më datën 28 dhe 29 tetor 2021 QKMF -Prizren do të realizojë procesin i vaksinimit kundër Covid-19 me ekipet mobile në sheshin e qytetit të Prizrenit -Shadervan. Vaksinimi realizohet vetëm për dozën e parë (doza e dytë merret si zakonisht në qendrën e vaksinimit). Vaksinimi i qytetarëve do të realizohet pa dallim se nga cila komunë është. Vaksinimi i qytetarëve në shesh do të realizohet pa termin. Vaksinimi fillon prej orës 10 deri ora 17”, ka njoftuar drejtori i QKMF-së në Prizren, Xhevat Elezkukaj.

Javën e kaluar e njëjta gjë kishte ndodhur në Prishtinë, që u mirëprit nga qytetarët.