Apeli vërteton dënimin me gjobë të shqiptuar ndaj avokatit Besnik Berisha
Pejë- Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me gjobë prej 500 euro, të shqiptuar ndaj mbrojtësit të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha, nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova.
Një vendim të tillë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Apelit e ka marrë më 27 tetor 202, duke e refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Besnik Berisha dhe ka vërtetuar dënimin me gjobë prej 500 euro të Gjykatës së Pejës, për shkak të prishjes së rendit në gjykatore.
Apeli vlerëson se pretendimet ankimore janë të pabazuara, andaj vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qëndrueshme lidhu me dënimin me gjobë ndaj avokatit Berisha.
“Gjykata e shkallës së parë në aktvendim e atakuar ka dhënë arsye të qëndrueshme dhe të mjaftueshme lidhur me shqiptimin e dënimit me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha, për shkak të prishjes së rendit në seancën gjyqësore të seancave të datës 28 qershor 2021”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Tutje, kjo gjykatë vlerëson se Gjykata e Pejës iu përmbajt udhëzimeve të Gjykatës së Apelit gjatë shqiptimit të dënimit.
“Gjithashtu gjykata e shkallës së parë është kujdesur që t’iu përmbahet udhëzimeve të Gjykatës së Apelit me aktvendimin e datës 20 gusht 2021, ashtu që aktvendimin e atakuar e ka sqaruar bazën ligjore të shqiptimit të dënimit me gjobë konform nenit 302 par.1 të KPP-së”, thuhet në arsyetim.
Po ashtu, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, ka vendosur drejtë kur ka shqiptuar dënimin me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha dhe sqaron arsyet.
“Kjo gjykatë pajtohet në tërësi me gjetjet e gjykatës së shkallës së parë, duke marrë parasysh se avokati ka prishur rendin në gjykatë disa herë që i është tërhequr vërejtja dhe përkundër kësaj, ka vazhduar me prishjen e rendit, çka mbështet nga shikimi i procesverbalit të shqyrtimit gjyqësor të datës 28 qershor 2021, nga audio dhe video-incizimi i të njëjtës seancë por edhe nga procesverbalet e shqyrtimit gjyqësor të datave 10 dhjetor 2019, 11 dhjetor 2019 dhe 7 mars 2021” thuhet në arsyetimin e Apelit.
Ndryshe, Gjykata e Pejës më 7 shtator 2021, pasi Apeli prishi vendimin për gjobitjen e mbrojtësit të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha, kjo e fundit sërish ka gjobitur avokatin Berisha me 500 euro, sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit.
Një vendim të tillë e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, më 1 shtator 2021, e cila në dispozitivin e vendimit ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 euro ndaj Berishës për prishje të rendit në seancë gjyqësore.
Ndryshe, Gjykata e Apelit më 20 gusht 2021 e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha dhe e ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës së Pejës për dënimin me gjobë ndaj tij.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli arsyeton se Gjykata e Pejës nuk ka dhënë arsye të qarta në lidhje me shqiptimin e dënimit me gjobë ndaj avokatit Berisha.
Ndryshe, më 28 qershor të këtij viti, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, e ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogaj.
Kjo pasi, avokati Berisha i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.
Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”.
Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova mori aktvendim për përjashtimin e tij.
Me dënimin me gjobë dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit Shaban Gogaj, nuk është pajtuar Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ku ky i fundit e ka cilësuar këtë vendim, cenim të nderit dhe profesionit të avokatisë.
Në arsyetimin e vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykatësja Violeta Husaj-Rugova nuk kishte përfshirë në procesverbal të gjitha deklarimet e bëra në atë seancë.
Si rrjedhojë e kësaj, Këshilli Drejtues ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ), të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Pejës për dënimin dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha.
Përveç kësaj, Këshilli ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha, që përveç vlerësimit të vendimeve, të bëjë edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.
Ndërsa, sipas Këshillit Drejtues, deri në përfundimin e hetimeve disiplinore ndaj avokatit Berisha nga prokurori disiplinor i OAK-së, nuk do të bëjë caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, në rast të kërkesës nga Gjykata Themelore në Pejë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, gjegjësisht kryetari Armend Berisha ka refuzuar kërkesën e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) që të inicojë procedurë disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.
Sipas burimeve brenda gjykatës, “Betimi për Drejtësi” merr vesh se Gjykata e Pejës nuk e ka gjetur të bazuar kërkesën për inicim disiplinor dhe rishqyrtim të vendimit për përjashtimin e avokatit Berisha dhe si rrjedhojë, kjo kërkesë është refuzuar si e pabazuar.
Kurse, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në punën profesionale të gjyqtarëve pasi institucioni që e udhëheq merret vetëm me administrimin e gjyqësorit në përgjithësi.
Këtë përgjigje, Zogaj ia ka kthyer kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, kur ka refuzuar të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Pejës, e cila ka gjobitur dhe përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit për vrasje, Shaban Gogaj. /BetimipërDrejtësi























