Zyrtari i SHBA-së kërkon zgjerimin e listës për kompensimin e viktimave
Në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të “Javës për Viktimat e Krimit”, Drejtori i INL-së në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Shawn Waddoups, kërkoi që të zgjerohet lista për kompensimin e viktimave.
Waddoups u shpreh krenar për partneritetin me IKD-në dhe tha se të gjeturat e raportit “Sfidat në zbatimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, janë shumë të rëndësishme dhe paraqet rekomandime të mira.
Ai shtoi se është çdo herë me rëndësi që të ngritet zëri dhe të kritikohen institucionet kur nuk i përmbushin detyrat.
“Më vjen mirë të shoh zbatimin e kompensimit të viktimave të krimit, Kosova është lider, është i vetmi projekt në rajon dhe Kosova duhet të mburret me fondet që ndahen prej programit”, tha ai.
Tutje, Shawn Waddoups shtoi se viktimat e krimit duhet të kompensohen sa i përket shëndetit psikik dhe fizik.
“Më vjen mirë për punën që e ka bërë komisioni për kompensimin e viktimave të krimit, diku më 2020 rreth 60 aplikacione janë shqyrtuar dhe 28 raste janë dhënë kompensim”.
Ai tha se se Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit duhet të zgjerohet për një numër më të madh të viktimave të krimit.
Ndryshe, në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan- Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, në kuadër të “Javës për Viktimat e Krimit”, po diskutohet lidhur me gjetjet e raportit hulumtues “Sfidat e zbatimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.
Pjesëmarrës në këtë tryezë janë drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Shawn Waddoups nda Ambasada e SHBA-së dhe Nesrin Lushta, gjyqtare e Gjykatës Supreme dhe kryetare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit. /BetimipërDrejtësi























