“Sfidat e zbatimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”
BKT
   Betimi për Drejtësi

“Sfidat e zbatimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”

Në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të “Javës për Viktimat e Krimit”, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Leotrim Gashi, prezantoi të gjeturat në lidhje me raportin hulumtues “Sfidat e zbatimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.

Gashi u shpreh se deri më 2015 viktimat nuk kanë pasur mundësi të kompensohen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe është menduar që me këtë ligj do të ketë një progres në këtë aspekt, raporton “Betimi për Drejtësi”.

‘‘Në bazë të të dhënave të kërkuara në Ministrinë e Drejtësisë, deri në janar të viti 2019, në këtë komision kanë shkuar 50 kërkesa, prej të cilave 15 kanë qenë të aprovuara, ndërsa nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2021 janë 88 kërkesa, të cilat 84 janë aprovuar’’, ka thënë Gashi, duke shtuar se kërkesat më të shpeshta janë për vrasje, dhunë në familje, etj.

Tutje, i njëjti tha se kanë analizuar 1160 aktgjykime, ku përfshihen aktgjykime të Gjykatës Themelore, të departamentit të Krimeve të Rënda dhe ato të Përgjithshme dhe kanë analizuar edhe disa të departamentit special dhe Gjykatës së Apelit.

‘‘Në bazë të 1071 aktgjykimeve që i kemi analizuar, që kanë të bëjnë më aktgjykime të Krimeve të rënda dhe aktgjykimeve të departamentit të Përgjithshëm të Gjykatave Themelore, kemi parë që në 820 prej tyre ka zbatim të ligjit, pra gjyqtarët zbatojnë ligjin, ndërsa  në 251 nuk zbatojnë dispozitat që përcakton që secili gjyqtar në secilin aktgjykim, i cili shqiptohet aktgjykim dënues duhet të shqiptohet edhe taksa varësisht se në cilin departament’’, është shprehur Gashi.

Ndryshe, në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan- Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, në kuadër të “Javës për Viktimat e Krimit”, po diskutohet lidhur me gjetjet e raportit hulumtues “Sfidat e zbatimit të Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit”.

Pjesëmarrës në këtë tryezë janë edhe drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Shawn Waddoups nda Ambasada e SHBA-së, Nesrin Lushta, gjyqtare e Gjykatës Supreme dhe kryetare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi