U kafshua nga qentë endacak, kërkon 5 mijë euro kompensim nga Komuna
Paditësja F.S, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga qenët endacak në rrugë publike, po kërkon nga e paditura Komuna e Pejës, kompensimin e dëmit në vlerë prej 5 mijë euro.
Për këtë përfaqësuesja e autorizuar e paditurës avokatja Drita Sopi-Gashi, mendon se për çështjen në fjalë legjitimitet ka AVUK, dhe jo Komuna e Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht e autorizuara e paditëses, avokatja Pranvera Zhara, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesës së saj, dhe se gjatë seancës kishte pranuar raportin informues lidhur me incidentin të cilin e kishte pësuar paditësja ditën kritike nga kafshimi i qenit.
Gjithashtu e njëjta deklaroi se nga pala e paditur kishte pranuar kontratën publike kornizë, e cila ishte e lidhur ndërmjet Agjencisë së ushqimit të veterinës si dhe ‘N.T.Sh. Veterina’ në Pejë, dhe meqenëse sot kishte pranuar një kontratë të tille, avokatja Zhara kërkoj kohë qe ta shqyrtoj kontratën dhe me parashtresë ta njoftoi gjykatën se a do të bën zgjerim të padisë.
Tutje, përfaqësuesja e autorizuar e paditurës Komuna e Pejës, Drita Sopi-Gashi, e kundërshtoi padinë dhe kërkesën e saj, sepse sipas saj, të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv që të jetë palë në procedurë.























