Nasim Haradinaj thotë se është trajtuar me përbuzje nga prokuroria
Sharr Travel

Nasim Haradinaj thotë se është trajtuar me përbuzje nga prokuroria

Gjatë leximit të deklaratës së tij në seancën e së hënës, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj, ka thënë se është trajtuar me përbuzje nga prokuroria. Sipas tij, kjo prokurori nuk ka asnjë provë me të cilën do të mbështeste akuzat, të cilat i ka cilësuar qesharake.

“Veprimet dhe sjelljet e kësaj prokurorie, jo vetëm që dëshmojnë sjelljen jo të mirë të kësaj prokurorie por dëshmon edhe se unë jam këtu prej 14 muajsh, kur nuk ka asnjë provë që të mbështesë akuzat qesharake me të cilët përballem. Prokuroria nuk e meriton aspak që unë të jem këtu i pranishëm në këtë sallë dhe t’ua bëj dekorin figurativë, gjithsesi më shtyri parimi bazë që për të vërtetën nuk duhet hezituar kurrë dhe përballja me ata që kërkojnë të shpifin dhe poshtërojnë gjithçka që ne mbrojmë, duhet bërë pikërisht për hir të kësaj të vërtete”, deklaroi i akuzuari Haradinaj.

Ai u ka bërë thirrje gjykatësve që ta përfundojnë këtë çështje sa më parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi