Mbrojtësit kërkojnë lirimin e 14 ish-policëve
Sharr Travel

Mbrojtësit kërkojnë lirimin e 14 ish-policëve

Mbrojtësit e 14 ish-policëve të dënuar për marrje ryshfeti kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë të ndryshohet dhe të akuzuarit të lirohen nga akuza ose që aktgjykimi të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim apo që gjykata t’iu shqiptojë dënim më të butë. Kurse, prokuroria kërkoi dënim më të lartë.

Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë ka paraqitur Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe mbrojtësit e të akuzuarve Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq dhe Zeki Shala.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të larta me burgim efektiv dhe si rrethanë rënduese të merret fakti se kanë kryer vepra penale në kontinuitet kohor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet si e bazuar, ndërsa ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve të refuzohen si të pabazuara.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ahmet Hasani, avokati Mahmut Halimi deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së paraqitur, duke shtuar se prokuroria ka hequr dorë nga dëgjimi i dëshmitarit.

Sipas avokatit Halimi, në arsyetimin e aktgjykimit gjykata i referohet pikërisht dëshmisë së atij dëshmitari dhe disa të tjerëve të cilët nuk janë dëgjuar fare, siç është rasti me Izet Jasharin.

“Secili nga ne i kemi paraqitur vërejtjet tona lidhur me dallimet në mes videove dhe audiove dhe transkriptave, dhe kjo nuk është kundërshtuar as nga prokuroria as nga gjykata, asnjë vërejtje të vetme dhe asnjë arsyetim nuk ka nga gjykata se pse ekziston një mospërputhje në mes tyre”, shtoi ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Arton Bimbashi, avokati Tahir Rrecaj deklaroi se mbetet pranë ankesës dhe mbështeti propozimet sikurse në ankesë.

Avokati Rrecaj shtoi se të gjitha pretendimet në ankesë janë të bazuara dhe të arsyetuara në detaje ndërsa gjykata çuditërisht dhe në mënyrë të pashembullt nuk e ka vlerësuar mbrojtjen e dhënë nga të akuzuarit duke mos e adresuar fare këtë çështje.

Sipas tij, kjo mund të jetë ndoshta hera e parë që kjo ndodh në Kosovë.

“Asnjëri nga dëshmitarët e prokurorisë nuk e implikon të mbrojturin tim”, vazhdoi avokati Rrecaj.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Avdi Beqiri, avokati Sheremet Ademi tha se i mbështet kolegët që i elaboruan ankesat e tyre dhe shtoi se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është konfuz dhe se videot e audiot nuk lidhen me provat tjera.

I akuzuari Avni Mehmeti, e cili nuk ka angazhuar ndonjë avokat, deklaroi se mbetet pranë ankesës së dorëzuar me shkrim.

Avokatja Kada Bunjaku Perçuku, e cila mbron të akuzuarin Esat Haxhiu deklaroi se edhe pse ka pasur shumë të akuzuar, gjykata nuk duhet të niset nga ajo se sa të akuzuar janë dhe sa ka shkresa.

Sipas saj, gjykata duhet që në mënyrë të detajuar të japë shpjegime lidhur me secilin të akuzuar, gjë që të cilën nuk ka arritur ta bëjë, por thekson se këtë e ka bërë në mënyrë të përgjithësuar duke i cekur rrethanat rënduese dhe lehtësuese vetëm në mënyrë të përgjithshme.

“Jo çdo para e gjetur në dorë është para e përfituar në mënyrë të paligjshme”, shtoi ajo.

Ndërsa, sipas avokatit Lutfi Tahiri, që është mbrojtës i të akuzuarit Halit Shabani, aktgjykimi përmban shkelje të shumta dhe nuk përfshin në mënyrën e duhur gjendjen faktike, kurse faktet në të cilat bazohet janë të paqena.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rushit Hoti, avokati Visar Rrecaj deklaroi se aktgjykimi ka shumë të meta, si në diapozitiv si në arsyetim të aktgjykimit.

“Arsyetim s’ka fare përveç përshkrimit të disa dispozitave që gjykata i ka marrë me “copy paste”. Vërtetimi i provave ka qenë skandaloz, po ashtu as transkripta nuk përkon me realitetin për shkak se nuk janë përkthyer mirë”, shtoi ai.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Nazim Hamiti, avokati Ahmet Tahiri në seancën e sotme deklaroi se mbetet pranë ankesës.

Avokati Kadri Osaj, i cili në këtë çështje mbron të akuzuarin Sedat Haxhimehmeti deklaroi se gjendja faktike nuk përputhet me video-incizimet, por ato më tepër e kanë shpreh dëshirën e prokurorisë për ngritjen e aktakuzës.

I akuzuari Zeki Shala deklaroi shkurt se mbetet prapa ankesës dhe kërkoi që ajo të shqyrtohet me kujdes.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sabit Hajdari, avokati Shefqet Ibrahimi tha se asnjë provë bindëse nuk ekziston që i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërsa, për mbrojtësit e të akuzuarve Bojan Saviq, Jovica Trajkoviq dhe Sllavisha Spasiq nuk pati përkthim në gjuhën shqipe, pasi ata deklaratën e kanë dhënë në gjuhën serbe.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 6 prill 2021, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-zyrtarëve policorë. 

Në aktakuzë ishin të përfshirë Ahmet Hasani, Arton Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Destan Rrecaj, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sabit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, Vojkan Stepiq, Vasko Raduloviq, Shefqet Maxhuni, Srdjan Zivkoviq, Sinisha Milutinoviq, Milan Jovanoviq, Sllavisha Filipoviq, Nedzad Islamoviq, Zmajko Milenkoviq, Sdrjan Djoroviq, Branko Radosavljeviq, Milan Vitkoviq, Stevica Ignjatoviq, Zlatomir Simoviq, Milijan Jovanoviq, Vesko Kandiq, Srdjan Milojeviq, Manjole Vlaskoviq, Milorad Mitroviq dhe Milijan Miliceviq, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme  nga kundërvajtësit në trafik.

Shumat në fjalë i kanë ndarë në mes tyre në pjesë të barabarta, e disa i kanë mbajtur për vete, me qëllim të mos shqiptimit të tiketave me gjobë për shkak të shkeljeve të dispozitave  të Ligjit mbi Komunikacionin Rrugor.

Pas veçimit të procedurës, kjo seancë kishte vazhduar vetëm ndaj zyrtarëve të jugut. Gjykata me aktvendimin e datës 3 korrik 2017, kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Ndërkaq, ishte hudhur aktakuza ndaj të pandehurit Destan Rrecaj, si dhe kishte pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Me këtë, ish-zyrtarët policorë akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “marrja e ryshfetit” , nga neni 428 par.1 lidhur me neni 31 dhe 81 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë  muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi