Coutinho shpreson në sukses te Barcelona me Xavin
BKT
Sport

Coutinho shpreson në sukses te Barcelona me Xavin

Philippe Coutinho shpreson që Xavi do të korrë sukses me grupin momental të lojtarëve te Barcelona.

Xavi u prezantua si trajneri i ri i Barçës këtë të hëne, duke u rikthyer te klubi i tij tek i cili ka fituar 25 trofe përgjatë 17 vitesh karrierë, përcjell KosovaPress.

Ish-mesfushori i “Blaugranëve” tani është zëvendësuesi permanent i Ronald Koeman, ku ky i fundit u shkarkua pas humbjes së gjigandit katalunas kundër Rayo Vallecanos më 27 tetor.

Pas emërimit të Xavit në stolin e trajnerit, Coutinho tani beson se ai do të jetë njeriu kryesor që do të rikthejë suksesin te Barcelona, pas largimeve të Lionel Messit e Antoine Griezmann.

“Xavi ishte një lojtar i madh, një ikonë, dhe tani ai është rikthyer në shtëpi te Barcelona. Shpresoj shumë që ai të jetë shumë i suksesshëm me grupin momental që e kemi”, tha Coutinho.

“Kam pasur mundësinë që të flas me të kur kisha vizita mjekësore në Katar. E di se çfarë personi i madh është. Sigurisht që ai do të bëjë punë të madhe te Barcelona”, shtoi ylli brazilian.

Para se Xavi të emërohej në krye të Barcelonës, kjo e fundit kishte vënë në stolin e trajnerit përkohësisht Sergi Barjuan, me të cilin regjistroi një fitore dhe dy barazime, dhe momentalisht gjendet në pozitën e nëntë në La Liga, ku pas 12 ndeshjeve ka arkëtuar gjithsej 17 pikë.