ZPS njofton gjykatën se ka mbyllur çështjen kundër Gucatit dhe Haradinaj
Sharr Travel

ZPS njofton gjykatën se ka mbyllur çështjen kundër Gucatit dhe Haradinaj

Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka njoftuar trupin gjykues në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt se e ka përmbyllur çështjen e saj.

Ky njoftim u bë më 10 nëntor, përmes shkresës së dorëzuar në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka caktuar 6 dhjetorin si datë tentative për nisjen e paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes, paraprirë prej konferencës përgatitore për mbrojtjen më 2-3 dhjetor.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

“Kurse, pritet që mbrojtja të dorëzojë mocionet e veta për rrëzimin e ndonjë prej akuzave ose të gjitha akuzave në bazë të rregullës 130, brenda datës 17 nëntor. Urdhri mund të lexohet në dokumentacionin gjyqësor publik të DHSK-së”, thuhej në këtë njoftim.

Më 5 nëntor ka përfunduar dëshminë e tij, dëshmitari i katërt, Daniel Moberg, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Ndërsa, seanca e 8 nëntorit ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ishte anuluar.

Ndryshe, më 7 tetor ka filluar gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ku ZPS ka dhënë fjalën hyrëse.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi