Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve në rastin e 75 kilogramëve narkotikë
Sharr Travel

Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve në rastin e 75 kilogramëve narkotikë

Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve: B.B., S.H., M.S., S.S., D.M., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të posedimit të paautorizuar dhe shitjes së narkotikëve.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pasi një ditë më parë, u bë e ditur se pesë të dyshuarit janë arrestuar pas aksionit të policisë, ku u sekuestruan 75 kilogramë narkotikë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 10 nëntor 2021, pas ndalimit nga ana e policisë, i pandehuri me inicialet M.S., me shpejtësi, me veturën e tij është nisur nga vendi i ndaljes në mënyrë që t’i shmanget arrestimit të tij, kështu duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë.

Tutje thuhet se i njëjti është arritur të arrestohet në fshatin Dobërllukë dhe se ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.

Me këtë rast, prokuroria thotë se gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tij janë gjetur 18 paketime të mbushura me marihuanë, me peshë prej 19 kg e 702.1 gr.

I pandehuri dyshohet për kryerjen e veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të parapara sipas KPRK-së.

Ndërsa, për të pandehurin B.B., prokuroria ka kërkuar paraburgim për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Si dhe për të pandehurit S.H., S.S., dhe D.S., prokuroria kërkoi paraburgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, të parapara sipas KPRK-së.

Me këtë, ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 267 lidhur me nenin 275 të Kodit Penal.

Ndryshe, Policia e Kosovës (PK), në një konferencë për medie, të enjten konfirmoi se janë konfiskuar 75 kilogramë marihuanë dhe janë arrestuar pesë të dyshuar. /BetimipërDrejtësi

 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi